Historia e Mata Hari-t është një prej atyre rrëfimeve ku realiteti dhe legjenda ndërthuren aq ngushtë, sa është e vështirë të ndash gruan nga miti, njeriun nga simboli. Ajo, valltarja ekzotike që mahniti Europën me misterin e saj lindor dhe i bëri burrat më të fuqishëm të kontinentit të bien pre e magjisë së saj, përfundoi përpara skuadrës së pushkatimit si tradhtare. Më 15 tetor 1917, në agun e ftohtë të një mëngjesi parizien, përfundoi jeta e Margaretha Geertruida Zelle, emri i saj i vërtetë, por nisi përjetësia e një miti që do të trazonte përherë kufirin midis erotizmit, spiunazhit dhe martirizimit.
Kronikat e asaj dite, të shkruara nga dëshmitarë si Henry Wales, e përshkruajnë me hollësi një vdekje që më shumë ngjante me një skenë teatri sesa me një ekzekutim ushtarak. Mata Hari, që kishte jetuar gjithë jetën si një performancë, nuk hoqi dorë nga roli i saj as përballë pushkëve që do t’i ndalonin frymën. “Jam gati”, tha ajo me një qetësi mbretërore, e veshur me elegancë, me një hijeshi që sfidonte frikën dhe vdekjen. Dhe ashtu, siç kishte jetuar, mes pasionit dhe dyshimit, midis dëshirës dhe rrezikut, ajo vdiq, duke ruajtur dinjitetin e një gruaje që refuzoi të ulte kokën.
Henry Wales ishte një reporter britanik që mbuloi ekzekutimin e Mata Hari atë mëngjes të 15 tetorit të vitit 1917. Ajo kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për presidentin francez për pastërti dhe mezi priste përgjigjen e tij: “Parandjenja e parë që ajo ndjeu se kërkesa e saj ishte refuzuar, ishte kur ajo u zhvendos gjatë pushimit të ditës nga qelia e saj në burgun e Saint-Lazare me një automobil në pritje dhe më pas nxitoi për në kazermë, ku skuadra e pushkatimit e priste.
Asnjëri nuk besoi vullnetin e hekurt të gruas së bukur edhe këtë ditë që do të ishte e fundit për të. Padre Arbaux, i shoqëruar nga dy motra bamirëse, Kapiteni Bouchardon dhe Maitre Clunet, avokati, hynë atë mëngjes herët në qelinë e saj, ku ajo ende ishte duke fjetur. Një gjumë i qetë, i paqëndrueshëm, u vërejt nga gardianët në natën e fundit.
Motrat e tronditura u përpoqën ta zgjonin butësisht. Ajo u ngrit dhe u tha që kishte ardhur ora e saj.
“Mund të shkruaj dy shkronja?” ishte gjithçka që ajo pyeti atë cak fatal.
Pëlqimi i’u dha menjëherë nga Kapiteni Bouchardon, duke i’u ofruan, pena, boja, letra dhe zarfi.
U ul në buzë të shtratit dhe shkroi letrën me nxitim të zjarrtë dhe ia dorëzoi në kujdestari avokatit të saj. Pastaj ajo u vesh si për kremte me rrobe te zeza, fjongo të mendafshta, këpuce të llustruara, kapele dhe mantel kadifeje të zezë dhe doreza. Në këtë takim me vdekjen zonja që kishte dalldisur dhe manipuluar burrat më të pushtetshëm të kohës, nuk toleroj asnjë detaj që gjithçka të ishte e përsosur. Edhe në botën tjetër ajo do të shkonte ashtu siç rendi në të këndejmen, e hijshme dhe joshëse.
“Jam gati” tha dhe u drejtua nga qelia e saj duke u ngjitur në makinën që e priste për ta dërguar atje prejnga nuk do të kthehej më.
Makina përshkoi zemrën e qytetit të fjetur. Kishte kaluar pesë e mëngjesit dhe ende dielli nuk po dukej. Makina u drejtua nga Caserne de Vincennes, kazermat e fortesës së vjetër, të cilën gjermanët e sulmuan më 1870. Trupat ishin vendosur në vendin e ekzekutimit. Dymbëdhjetë Zouaves, që formuan skuadrën e pushkatimit qëndronin të rreshtuar, pushkët e tyre ishin në pritje. Një nënoficer qëndroi pas tyre, gati për të tërhequr shpatën e urdhërit për zjarr.
Automobile u ndal, shoqëruesit zbritën, Mata Hari ishte e fundit. Të gjithë u drejtuan përnga një e ngritur toke rreth 7-8 metra që do të shërbente si mburojë për vërshimin e plumbave.
Ndërsa padre Arbaux foli me gruan e dënuar, një oficer francez u afrua me një leckë të bardhë në dorë për ti mbyllur sytë Mata Hari. Ai pëshpëriti diçka murgeshave që rrinin pranë gruas dhe ua dha bezen e bardhë.
“A duhet me doemos ta vendosi?” pyeti Mata Hari, duke iu drejtuar avokatit të saj.
Avokati, Maitre Clunet iu kthye me të njëjtën pyetje oficerit francez.
“Nëse Madame nuk preferon, nuk bën asnjë ndryshim,” u përgjigj oficeri, duke u larguar me nxitim. .
Mata Hari nuk pranoi t’i mbyllnin sytë. Ajo qëndronte duke shikuar me ngulm para xhelatëve të saj, kur prifti, murgesha dhe avokati u larguan.
Oficeri në komandën e skuadrës së pushkatimit, vërejti me vëmendje se gjithçka e skuadrës së pushkatimit do të ishte e gatshme për të hapur zjarr. Një komandë që çau ajrin e ftohtë të atij agimi dhe pushkët e 12 burrave vendosën qytat në sup dhe tytat drejtuan nga Mata Hari që vështronte triumfalisht. Dielli i atij mëngjesi u ndez në tehun e shpatës së urdhërvrasësit dhe 12 armë vjellën furi zjarri mbi gruan që i vështronte pa dhënë asnjë shenjë frikë, paniku apo pikëllimi.
Edhe në takimin e vdekjes ajo diti të qëndronte dinjitoze. U shkreh në gjunjë duke mbajtur kokën lart duke ruajtur në fytyrë të njëjtën shprehi. Pas disa sekondash që ajo kishte rënë në gjunjë u anua dhe ra në shpinë, me kokën lart. Por nuk kishte përfunduar ende.
Një oficer jo i porositur, i cili shoqëronte një toger, nxori revolverin dhe duke kapur gruan e goditi atë në kokë.
Mata Hari tani ishte me siguri e vdekur.
Ajo ditë mbeti një dëshmi e përplasjes së dy botëve, të pushtetit dhe të feminitetit, të intrigës dhe të idealit, të trupit dhe të shpirtit. “Kronika e një ekzekutimi të bujshëm” është jo vetëm përshkrimi i fundit të një jete të rrallë, por edhe një pasqyrë e epokës që kërkonte heronj dhe viktima për të ushqyer mitin e vet të madhështisë dhe mizorisë.
Referenca:
Shënimet e Henry Wales, botuar fillimisht në gazetë përmes Shërbimit Ndërkombëtar të Lajmeve më 19 tetor 1917, ribotuar në Carey, John, EyeWitness to History (1987); Howe, Russell Warren, Mata Hari: The Story True (1986).
Përgatiti: Albert Vataj