Kryeministri Edi Rama ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë si anëtar themelues në Bordin e Paqes, një nismë që e pozicionon Shqipërinë në një rol të rëndësishëm ndërkombëtar. Rama i ka dërguar një letër Trump-it, ku e informon për miratimin e shpejtë të ftesës në Parlament.
Ndërkohë, votimi për anëtarësimin në këtë bord ka kapur në befasi Partinë Demokratike, e cila ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj zyrtar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka shmangur daljet publike, ndërsa Belind Këlliçi e ka cilësuar ftesën si një lajm të madh për Shqipërinë.
I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Martin Leka komentoi zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe reagimin e opozitës ndaj ftesës së Donald Trump për kryeministrin Rama. Sipas tij, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të qartë nga Partia Demokratike dhe ka thelluar kontradiktat brenda saj.
“Narrativat e kanë nxjerrë PD zbuluar. Berisha mendonte se me ardhjen e Trump po i hiqej ‘non grata’, por Berishën nuk i është hequr ‘non grata’. Edhe teoritë konspirative se Rama do të shkojë në SHBA me një avokat. Kjo tregon se Berisha nuk mund të zgjidhte asnjë alternativë tjetër përveçse heshtjes. Sot duhet të ishte një ditë e jashtëzakonshme edhe për opozitën, sepse është një lajm i madh për Shqipërinë.
Ftesa e Trump për Ramën që ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë bord, tregon që Shqipëria ka një vend të lakmueshëm dhe të rëndësishëm në sferën ndërkombëtare dhe kjo është fakt. Në këtë aspekt Rama ka bërë një punë të shkëlqyer duke e ndritur lart emrin e Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’”, tha Leka. /abcnews