8.5 C
Tirana
23 / 12 / 2024

FOTO/ Policia në gatishmëri për protestën e opozitës, qindra efektivë dhe autobote uji në zonat ku do të bllokohet qarkullimi

Na ndajnë më pak se 60 minuta nga nisja e protestës së opozitës. Ndryshe nga herët e tjera, sot parashikohet një protestë që synon të paralizojë qarkullimin në vend. Demokratët do të bllokojnë akset kryesor të vendit, si shenjë të asaj që ata e quajnë mosbindje civile.

Në kryeqytet, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Teksa do të ketë bllokime dhe në rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan.

Ndërkohë policia duket se ka nisur marrjen e masave. Mësohet se efektivët dhe autobotet e ujit po pozicionohen te zonat ku synohet të mbahen tubimet. Siç shihet në foto, policia po merr të gjitha masat. Në gatishmëri do të jenë dhe forcat speciale, teksa efektivët janë pajisur me maska kundragaz.

Ndërkohë sot ka pasur dhe një mesazh nga kreu i policisë, i cili ka kërkuar nga efektivët që të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin tensionet.

Një ditë më parë në një deklaratë të shpërndarë për mediat Policia njofton se bllokimi i akseve rrugore është vepër penale, teksa u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njofton Policia.

Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit njofton se ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x