15.5 C
Tirana
17 / 10 / 2025

Forumi i biznesit Shqipëri-Turqi, Rama thirrje investitorëve turq për bashkëpunim: Të dyfishojmë shkëmbimet tregtare

Kryeministri Edi Rama në një videomesazh për Forumin e biznesit Shqipëri-Turqi, u bëri thirrje investitorëve turq që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

Kreu i qeverisë vlerësoi marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke thënë se duhet të dyfishohen shkëmbimet tregtare.

Ndër të tjera Rama tha se Shqipëria është sot porta më e afërt e Turqisë drejt Bashkimit Europian dhe një partnere e qëndrueshme në siguri, në energji, në turizëm dhe në teknologji.

Fjala e plotë e Ramës:

Të dashur miq, të nderuar sipërmarrës, të ardhur nga vendi mik dhe vëlla, arkadashlar,

Një thënie e urtë e të dyja vendeve tona thotë: “duhen dy duar për të duartrokitur.”

Sot, Shqipëria e Turqia janë ato dy duar që duartrokasin së bashku historinë e miqësie që nuk njeh kthesa, e një partneriteti që forcohet çdo ditë, dhe një horizonti që hapet gjithnjë më gjerë përpara nesh.

Dhjetë vjet më parë, me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, vumë një objektiv të thjeshtë: Të dyfishonim shkëmbimet tona tregtare.

Sot, kemi shkuar shumë përtej.

Nga 250 milionë euro, në mbi 1 miliardë vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti.

Nga 300 sipërmarrje me kapital turk, në mbi 1 mijë sot.

Nga disa qindra punonjës, në 15 mijë të tillë, që punojnë në sipërmarrjet turke në vendin tonë.

Por ç’ka vlen më shumë se numrat, është fryma, është dëshira, është sensi i përkatësisë në këtë miqësi që ka ndërtuar këtë lidhje: një frymë besimi, një frymë respekti, një frymë bashkëpunimi që prodhon rezultat.

Shqipëria sot nuk është më ishulli i mbyllur që dikur e përshkruanin.

Shqipëria sot është një vend i hapur, një ishull i bukur mundësish, një ishull ku mund të shumëfishosh investimin tënd dhe jo në shumë, në pak vite. Me taksa fare të ulëta, me energji të gjelbër, me një turizëm në rritje, me teknologji që zhvillohet përditë dhe me një treg që e pret krahëhapur sipërmarrjen turke.

Vetëm këtë vit, 300 mijë turistë nga Turqia zgjodhën Shqipërinë, kjo është e jashtëzakonshme po të mendosh se jo shumë vite më parë, ata numëroheshin me gishtat e dorës.

Oreksi vjen duke ngrënë thotë përsëri një fjalë që e kemi të përbashkët – ndaj, ejani, – ejani të punojmë bashkë për suksesin, ta rrokim atë dhe ta shijojmë bashkërisht.

Shqipëria është sot porta më e afërt e Turqisë drejt Bashkimit Europian.

Shqipëria është sot një partner i qëndrueshëm në siguri, në energji, në turizëm dhe në teknologji.

Qeveria shqiptare, më shumë se sa një qeveri mike, e një vendi mik, është një partnere strategjike i një vendi të lidhur në një aleancë strategjike me Turqinë.

Shqipëria sot, ka një qeveri që është gati të mikpresë, të dëgjojë, të ndihmojë dhe të garantojë çdo investim që të kthehet në histori suksesi.

Ne e hodhëm një hap 10 vjet më parë dhe sot shohim distancën që kemi krijuar me të shkuarën falë këtij hapi të hedhur.

Madje sot, kemi një urë, një urë me këmbët ngulur fort në të ardhmen dhe objektivi është që të ridyfishojmë shkëmbimet tona tregtare dhe nesër të ndërtojmë një autostradë suksesi midis Bosforit dhe Adriatikut, sepse kjo marrëdhënie nuk është thjesht ekonomi, kjo marrëdhënie është vëllazëri, është besim, është një bashkë udhëtim drejt të ardhmes.

Ura që sot lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë.

Ura që sot lidh Turqinë zyrtare, Ankaranë me Tiranën zyrtare është më e fortë se kurrë.

Një urë që bashkon dhe që e bën më të shpejtë dhe e bën më të lehtë, edhe lidhjen e lindjes me perëndimin përmes Korridorit të 8 dhe portit të ri të Durrësit, por njëkohësisht që lidh historinë me të ardhmen, që lidh shpresën me mundësinë, që lidh reflektimet e të shkuarës me ambicien për të nesërmen.

Shqipëria dhe Turqia flasin me të njëjtin gjuhë, me gjuhën e punës dhe me gjuhën e rezultateve, ndaj, le ta shohim të ardhmen si atë, që së bashku duhet ta rrokim përmes një rrugëtimi të bërë po bashkë, ku çdo investim, çdo projekt, çdo ëndërr bëhet shkak për një duartrokitje të re për historinë tonë të përbashkët.

Faleminderit!

Teşekkür ederim!

Rroftë miqësia mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x