Nga Avni Selmani
Gjatë historisë, shqiptarët janë bashkuar në momentet më të vështira, kur kanë qenë pa shtet, pa mbrojtje dhe pa aleatë. Kur rrezikohej ekzistenca, të gjithë bashkoheshin. Sot, ndonëse jetojmë në paqe dhe me liri, jemi më të ndarë se kurrë. Nuk janë më kufijtë që na ndajnë, por interesat politike, egoja, inatet personale të liderëve dhe mungesa e përgjegjësisë.
Prej më shumë se një shekulli, shqiptarët kanë folur për bashkim, por asnjëherë nuk kanë arritur ta bëjnë realitet. Një ide që dikur i frymëzonte shqiptarët, me kalimin e viteve është kthyer në temë që përdoret vetëm kur u leverdis politikanëve.
Në fillim të shekullit të kaluar, pritjet për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve ishin të mëdha. Por padrejtësitë dhe ndarja e viseve shqiptare nga shteti am, e vendosur nga fuqitë e mëdha pas vitit 1913, i lanë jashtë kufijve të Shqipërisë më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare. U besua se kjo ndarje do të ishte e përkohshme dhe se bashkimi do të ndodhte natyrshëm, sapo rrethanat politike ta lejonin. Por ngjarjet që pasuan treguan të kundërtën. Në vend të afrimit, u krijuan ndarje të reja që më vonë u thelluan me kalimin e viteve. Shqiptarët mbetën për dekada të ndarë në shtete të ndryshme, me të njëjtin gjak e me fat të ndryshëm.
Pas viteve ’90 dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumëkush priste që ndarja politike të zëvendësohej me bashkëpunim të vërtetë mes dy shteteve. Në fillim pati lëvizje që krijuan shpresë, por ishin më shumë populizëm se vullnet real. Vizita, deklarata dhe marrëveshje që ishin vetëm simbolike. Me kalimin e kohës, gjithçka u shua. Sot nuk kemi as bashkëpunim, as komunikim. Dy qeveri shqiptare që sillen si të huaja mes vete. Nuk ka më vizita zyrtare, nuk ka as përpjekje për koordinim. Në konferenca ndërkombëtare, udhëheqësit tanë shmangin njëri-tjetrin sikur të ishin armiq. Kjo sjellje është turpëruese për një komb që flet për bashkim. Është absurde që shqiptarët të kenë më shumë liri se kurrë, ndërsa ata që i përfaqësojnë nuk arrijnë as të flasin me njëri-tjetrin.
Në këtë gjendje, ideja e bashkimit është zbehur jo nga populli, por nga politikanët. Shqiptarët e zakonshëm ndihen ende të afërt, ndërsa udhëheqësit e tyre sillen si rivalë të huaj. Asnjë shtet nuk mund të ecë përpara kur mungon komunikimi, e aq më pak dy shtete që flasin për një komb të përbashkët.
Bashkimi nuk është më çështje ëndrrash, por përgjegjësi. Udhëheqësit e të dy shteteve duhet të lënë mënjanë inatet, interesat personale dhe garat për pushtet. Duhet të ulen, të flasin dhe të punojnë për atë që i bashkon shqiptarët, jo për atë që i ndan.
Koha nuk duron më as arsyetime, as lojëra politike. Askush nuk ka të drejtë ta përdorë çështjen kombëtare për ego apo për përfitim personal. Ajo nuk është pronë e askujt. Shqiptarët presin udhëheqës që veprojnë me përgjegjësi, jo që flasin për kamera. Bashkimi kërkon reflektim, ndershmëri dhe guxim për të bashkuar, jo për të ndarë.