Për herë të parë Arabia Saudite do të dërgojë sivjet përfaqësuesen e saj në Miss Universe, pra në garën botërore për më të bukurën e globit. Ajo quhet Rumy Alqahtani, është 27-vjeçare, nuk bart shami, ka rreth 1 milion ndjekës në Instagram.
Reformat në Arabinë Saudite, të shtyra nga Princi i Kurorës, Mohamed Bin Salman, po e ndryshojnë Arabinë Saudite me hapa të shpejtë.
Grave u është lejuar të drejtojnë automjetin, është hequr tutoria e burrave ndaj grave, ato mund të jetojnë vetëm (po deshën), mund të paraqesin kërkesë për pasaportë, mund të hapin firma, pa marrë pëlqimin e burrit, babait apo vëllait.
Mjekia Rayyanah Barnawi ishte vitin që shkoi gruaja e parë nga Arabia Saudite që u ngjit në Stacionin e Gjithësisë (ISS).
Nga qielli Barnawi e përshëndeti gjyshen e saj dhe duke bërë me gisht nga veshi i tregoi se vathet e saj kanë arritur në qiell.
Ngjitjen në qiell të Barnawit e pagoi qeveria saudite (50 milionë euro). Deri para disa vitesh gratë si Barnawi nuk lejoheshin të shkonin vetëm as në dyqanin e lagjes.
Ndërkohë udhëheqja në Riad e ka kuptuar se izolimi i grave, mbajtja e tyre si skllave ka pasoja të rënda për zhvillmin e shoqërisë si dhe dobëson ekonominë. Andaj duket se është vetëm çështje kohe kur në Arabinë Saudite të hapet debati mbi heqjen e obligimit për bartjen e shamisë.
Ndonëse sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut ky vend është shumë larg standardeve të pranuara ndërkombëtare, përparimi sa i përket të drejtave të grave është tashmë epokal. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja në Miss Universe e Rumy Alqahtani. (E.Robelli)
- Skandali i spiunazhit, Jensen Huang jep dorëheqjen nga “Nvidia” pas 33 vitesh si CEO i kompanisë! Aksionet bien deri në 12% - 12/11/2026
- Jo Rama, as Berisha por maskat! - 12/11/2026
- “Sazani është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë”/ Rama nga Irlanda: S’kam marrëveshje me Kushnerin, negociatat vijojnë - 12/11/2026