16.5 C
Tirana
30 / 01 / 2025

Ditën imiton Trumpin, natën ëndërron Ramën

Nga Mero Baze

Ajo skena kur Donald Trump firmos urdhrat ekzekutivë një nga një, secilin me një stilolaps më vete, pastaj ia tregon kamerave dhe vazhdon me tjetrin, e ka mahnitur Sali Berishën. Plot 100 urdhra për afërsisht 1 orë punë, njësoj sikur jepte autografe.

Duket që e ka lënë pa gjumë ajo skenë dhe ka filluar të vendosë veten në vend të Trumpit pas 11 majit. Ka një problem të vogël, se kryeministri ynë mund të firmosë vetëm VKM, jo urdhra ekzekutivë, por sidoqoftë, atij i pëlqen skena. Për të qenë në një gjatësi vale me Trumpin, edhe ky ka premtuar rreth 100 VKM të reja qysh javët e para.

Madje, sot nuk ka pritur 11 majin, por ka marrë Gazment Bardhin në krah, si për të treguar që janë parti e sakrificës, dhe ka dërguar “urdhrin e parë ekzekutiv” drejt Parlamentit, ku i urdhëron të shfuqizojnë ligjin që ka bërë vetë më 2009 pas takimit me Sorosin për martesat brenda një gjinie dhe ta zëvendësojnë me një ligj të ri që martesat lejohen vetëm mes gjinive, tani pas fitores së Trumpit.

E gjithë kjo dalldi e tij për t’u mbushur mendjen demokratëve se kanë filluar të qeverisin në të njëjtën kohë bashkë me Trumpin, është një mënyrë për t’u autosugjestionuar me idenë që tani pushtetin e kemi marrë, thjesht është çështje date. Ose, siç thotë Paloka, “non grata” ka rënë, por nuk ka dalë njoftimi.

E vërteta është se Trump dhe fryma e tij nuk është se nuk po i krijojnë disa lehtësira Berishës.

Kështu duket se SPAK është nën presion financiar nga aleatët që ishin mbështetësit kryesorë të tij. Unë besoj se ata do ta rishikojnë këtë çështje brenda tre muajve në favor të SPAK, por gjithçka mund të ndodhë. Por nuk është se nuk ka ndonjë fije shprese për Berishën.

Po ashtu, tani gjithë bota flet përherë e më pak për demokraci dhe përherë e më shumë për fuqi, forcë, teknologji dhe efikasitet. Kjo mund ta lehtësojë Berishën nga e shkuara e tij e errët si minues i demokracisë në këtë vend, sanksionuar nga SHBA, apo si armik botëror i shtypit, sanksionuar po nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Atij mund t’ia falin këtë njollë në biografi. Madje, po të kishte nisur të qeveriste në këtë epokë, do të kishte qenë ideale, se nuk do t’ia merrte askush për të madhe ato që ka bërë.

Puna është se fitorja në zgjedhje është një hall që Berishës nuk ia zgjidh dot Trumpi. Për t’i gëzuar këto lehtësirat e epokës së re, Berishës i duhet në fillim të marrë pushtetin. Dhe këtu komplikohet gjithë puna. Ndaj ai po përpiqet të sillet sikur e ka marrë pushtetin dhe sikur ka filluar të qeverisë duke firmosur “urdhra ekzekutivë” si ky i sotmi.

Ekuacioni i është bërë edhe më i vështirë pasi çdo lehtësi që atij i krijohet nga fryma e re e Trumpit kundër SPAK-ut apo reformës në drejtësi, madje dhe kundër sanksioneve ndaj tij, siç ëndërron ai, shkojnë më shumë në favor të shumicës, sesa në favor të tij.

Paradoksalisht, Berishës, për të shkatërruar kundërshtarin e tij, i duhet tani një SHBA shumë më e fokusuar te demokracia, antikorrupsioni dhe etika në qeverisje, sesa te shkatërrimi i SPAK-ut, reformës në drejtësi dhe injorimi i defekteve demokratike, pasi këto e bëjnë më të fortë kundërshtarin sesa atë vetë.

Ndaj tani e vetmja gjë që i ka mbetur është të dalë çdo ditë për të imituar Trumpin duke lëshuar urdhra ekzekutivë që do të zbatohen pas 11 majit, dhe çdo darkë të ëndërrojë të jetë si Edi Rama, kryeministër, që t’i zbatojë ato.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x