12.5 C
Tirana
18 / 02 / 2026

Detajet si u arrestua vëllai i deputetes demokrate në Romë

Markelian Hoti, vëllai i deputetes demokrate Elda Hoti, është arrestuar në periferi të Romës, pas një urdhër-arresti europian për trafik droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

27-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim në gjithë Europën për trafik kokaine, është arrestuar në Romë.

Ai u kap në zonën Ponte di Nona, në periferinë lindore të kryeqytetit italian, ku ishte fshehur në një hotel bashkë me të dashurën.

Hoti dyshohet se kishte rol kyç në një organizatë që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Droga mbërrinte në portin e Anversës në Belgjikë dhe më pas transportohej me makina luksoze nga Europa Veriore drejt Dubait.

Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Anversës, vëllai i deputetes ishte ‘zhdukur’.

Në janar ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest europian për “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që, sipas mediave italiane, parashikon deri në 15 vite burg.

Arrestimi u bë pas një hetimi të koordinuar nga Interpol dhe skuadra e antidrogës në Romë.

Sipas mediave italiane, Hoti kishte qëndruar “në hije”, pasi pronari i hotelit ku ai po strehohej nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në sistemin “Alloggiati Web”, duke e bërë praktikisht të padukshëm për autoritetet.

Pasi iu verifikua identiteti, ai u dërgua në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x