Liria është e drejta e zgjedhjes, ishte përgjigja e kryedemokratit Sali Berisha, kur u pyet për dy deputetët që u tërhoqën një ditë më parë nga Primaret.
“Së pari unë shpreh konsideratat e tyre për dy deputetët, rolin e tyre, kontributet e tyre të pamohueshme në PD dhe garantoj se, unë bashkëpunimin me ta sot dhe në të ardhmen e konsideroj të çmuar. Po kështu, edhe për cilindo që merr këtë veprim. Këta dy deputetë dhe të tjerë kanë pasur dhe kanë besimin e plotë të Sali Berishës, por një gjë, e kam përsëritur dhe dua ta përsëris; edhe në thellësitë e territ të diktaturës, për mua liria ka qenë e drejta për të zgjedhur atë që do individi. Thelbi i lirisë është e drejta e zgjedhjes dhe për fat të mirë e kam shkruar dhe në atë kohë kur filozofia ekzistencialiste konsiderohej një nga më reaksionaret e kohës. Por unë i besoj atij parimi”, u shpreh Berisha.
Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati njoftoi të martën se është tërhequr nga kandidimi në Primare. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai tha se vendimi nuk është personal, ndërsa theksoi se është një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Edhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha hoqi dorë nga kandidimi në Primare, por theksoi se kjo nuk është tërheqje, por angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike.