Nga Frrok Çupi
Sapo Edi Rama zbriti në Vlorë dhe urdhëroi që ‘shteti lokal i Vlorës’ të çlironte hapësirat publike nga pushtimi i të paktëve, u ngritën zëra kundër. U ngritën zëra ‘për demokracinë’…. Me sa duket vepra çliruese e qeverisë do të shtrihet në gjithë vendin.
Nuk do të gjeja dot një mostër se si kjo lloj demokracie që ofrojnë ‘të prekurit’, po të mos shfaqej zonja Petterson me kërpudhat e saj. Ka një ngjashmëri të frikshme. Gruaja nga Australia prej kohësh e kishte kryer aktin: Kishte helmuar për vdekje tre të afërm të saj dhe një të katërt e kishte çuar në prag të vdekjes. Mblodhi kërpudha helmuese, ftoi kushërinjtë viktima, u krijoji atmosferë, u buzëqeshi, pjatën e saj e veçoi ndërsa ata i çoi në varr. Këto ditë po i behët gjyqi që ka tronditur Dhènë.
Vrasja u krye ‘me demokraci’.
Në vendin tonë oferta si demokraci e akteve të dhunës ka ndodhur qysh herët pas vitit 1992. Edhe këtu ‘helmi’ vdekës për vendin dhe njeriun e tij, është ofruar në mënyrë të ëmbël, të ushqyeshme, si ‘e drejtë’. Më e fundit është kjo situatë: Sapo vendi hyri në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ‘demokratët’ bënë gati pjatat me helm që ishin zaptimi i trotuareve, i shëtitoreve, rrugëve, hyrjeve të pallateve, parqeve…
Është shkelur e drejta e qytetarëve për të bërë jetën e tyre, kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është. Atëherë cila është demokracia që përkëdhel dhunuesit dhe dhunon qytetarinë?
Nëse prapë do të kthehemi të shtrojmë dilema si tre dekada, atëherë do të na dalin përpara shumë mostra të kësaj që po ndodh sot:
Mostra e shtyllave elektrike, në mes të dimrit, kur militantët e pakicës ‘kishin të drejtë’ t’u vinin tritol, ndërsa njerëzit të prisnin në errësirë të drejtën e dhunuesit.
Mostra e ‘tokës së xanë’. Edhe selia e Gjykatës së Shkodrës ishte ‘xanë’ nga dy vëllezër dukagjinas, e jomë fushat dhe trotuaret. Kur të vinin palët në gjyq, do t’i ‘palosnin’ dy vëllezërit. Këtë e thoshte demokracia.
Mostra e bregut të detit. I kemi parë kudo ku shkuam se si shtrinë gardhe prej druri llamarine deri thellë në det. Sa herë na kanë thënë: ‘Ej, ti atje, mos kalo në rërën time’.
Para pallatit kishim një lulishte të vogël për fëmijët, por doli dikush, e zuri dhe e bëri parking; derisa të ngrejë pallat.
Gjithë Shqipërinë ‘ia falën dreqit’ me zaptime, me kaos, me pisllëk, me armë, me vrasje, me të fortë…
Pastaj tentuan të zaptojnë Tiranën, sheshin dhe bulevardin e madh, selinë e Parlamentit, selinë e qeverisë, stuidiot e Televizionit Kombëtar, tanket e Gardës… Kjo mostër erdhi nëpër kohë deri te zaptimi i trotuarit. Është vesi dhe modeli që shtrihet kështu deri në dhunë ndaj shumicës.
Sa herë vijnë zgjedhje, si edhe këtë radhë, në 11 Maj, bëhen gati çfarë do të zaptojnë dhe çfarë do të shkelin.
Kjo është tirania e pakicës ndaj shumicës. Kjo është kangrenë që ha vlera, ha demokracinë, të drejtën dhe perspektivën… Sikur ta kthejnë edhe një herë atë çfarë ishin vetë, atëherë ku do të strehohej shumica nën këmbë të disa pak njerëzve… Siç ka ndodhur aq gjatë.
Tani po i sulen Edi Ramës se ‘po shkel demokracinë, ky autokrat’.
S’ka njohur bota autokraci që mban anën e shumicës dhe mbron interesat e qytetarëve.
Këta e përdorin edhe demokracinë si pjatë me helm.
- Demokraci të helmuar si kërpudhat e zonjës Petterson - 08/07/2025
- “Po ndërton paqe në shumë rajone”, Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel - 08/07/2025
- VIDEO/ Kryeministri Rama dhuron gjak në godinën qeveritare dhe bën apelin: Përveçse jepni kontribut të vyer, ju rinon dhe rigjeneron - 08/07/2025