Kreu i PD Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, deklaroi për mediat se Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ dhe ILD, nuk guxuan të bëjnë asnjë reagim mbi “sulmet” e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë.
“Në serialin e pafundmë të sharjeve të Edi Ramës ndaj Skapit që devijoi rrugën e partisë, ndaj gjykatës, ndaj prokurorëve, këta zyrtarë të themi të vërtetën nuk duhet të prish gojën, por këta meritojnë të quhen vetëm llum-zyrtarë, nuk guxojnë të bëjnë qoftë dhe një deklaratë të vetme në mbrojtje të këtyre institucioneve.
Keni parë ju një deklaratë të KLGJ-së, ILD-së, të Prokurorit të Përgjithshëm në mbrojtje të institucioneve gjatë sulmeve që u bënë për hir të Lubisë, ai në fakt i bëri për veten e vet, por sulmet lidheshin me dosjen e Lubisë, dhe ata nuk shqipëronin dot një fjalë të vetme në mbrojtje të institucioneve sepse institucionet u sulmuan në mënyrën më të egër”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se dy shoqata kanë reaguar, por theksoi se ato nuk janë institucione zyrtare të drejtësisë.
“Pra, a keni parë vetëposhtërim më të madh të këtyre institucioneve se sa në këtë rast? Në kulmin e sulmeve nuk flasin një fjalë, nuk shqiptojnë një presje as Metani, as Toska, as Olsi, asnjë prej tyre. Këta janë e keqja banale e vendit dhe kaq mund të themi për ta. Ndaj dhe historia e tyre do të arkivohet si një histori turpi, si një histori njerëzish pa dinjitet, njerëzish mercenarë”, shtoi Berisha.