11.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

BURRNESHAT E ETNOSIT DHE SILIKONI NË MENDJEN E SHOQËRISË

-Spektakli i paditurisë mbi një madhështi shqiptare-

Nga Marash Mirashi

Është e dhimbshme të shohësh se si disa programe televizive në Tiranë, nën petkun e informimit, arrijnë të shtrembërojnë realitetin historik e kulturor të shqiptarëve. Ka një tendencë që burrneshat, si nje institucion i lashtë i të drejtës zakonore shqiptare, të paraqiten si transgjinore. Kjo nuk ka asnjë të vërtetë pasi ato ne asnje rast nuk e mohonin gjininë biologjike, por ato ishin gra që per nje kompleks arsyesh si ekonomike, shoqërore ose nderi, merrnin përsipër rolin e burrit në familje e shoqëri. Ky fenomen është pjesë e etnosit tonë, një formë e jashtëzakonshme e organizimit shoqëror, që shfaq madhështinë dhe elasticitetin e kulturës shqiptare.
Mjafton të lexohet një prej eruditëve tanë, At Anton Harapi, për të kuptuar se burrneshat ishin një formë e lartë e nderit dhe e mbrojtjes së besës, jo një ndryshim identitar në kuptimin e nje moderniteti të përçudnuar të fjalës. Ati françeskan me një përkushtim filozofik dhe patriotik, edhe si nje etnolog i madh reflektoi shpesh për karakterin e larmishëm të shqiptarëve dhe për rolin që feja dhe morali kishin në jetën e tij. Po kështu, studiues të huaj që kanë ndriçuar jetën shqiptare si Edit Durham, Maksimilian Lambert apo Franc Nopça, kanë shkruar me respekt për këtë traditë të rrallë, duke e paraqitur si shenjë të madhështisë së botës shqiptare. Pra, nëse duam të flasim për burrneshat, duhet të lexojme libra dhe jo te biem pre e paragjykimeve të huazuara nga diskurse gjoja moderne që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me realitetin tonë historik.
Gjithologët apo më mire me thanë asgjëloget në emisionet televizive, që i japin vetes te drejten të barazojnë burrneshat me transgjinorët, tregojnë padijen e tyre shembullore, guximin per te folur edhe kur s’kane gjë per te thene si dhe virgjerine mentale te tyre. Ato janë mendje të indoktrinuara, të pandriçuara e të palexuara, që flasin për një fenomen të ndërlikuar pa asnjë referencë të besueshme. Mesa duket kushti kryesor për të hyrë në ato studio duket të jetë mungesa e ndriçimit intelektual.
Burrneshat janë një institucion unik i së drejtës zakonore shqiptare dhe nje krenari e etnosit tone gjithsesi ballkanik, por sidoqoftë te rallë. Të përpiqesh të shpjegosh fenomenet e etnosit me konceptet e sotme të identitetit gjinor është jo vetëm e gabuar, por edhe fyese për historinë e shqiptarëve. Dhe është detyra jonë, e atyre që lexojnë e hulumtojnë, të mos lejojmë që zonjusha injorancë të zëvendësojë dijen. Televizionet duhet te mos bien pre e saj.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x