Nga Prof.Dr. Ethem Ruka
Qeniet e gjalla që popullojnë shtëpinë tonë, Tokën, jetojnë në një botë që ka ndryshuar e ndryshon vazhdimisht. Sicili lloj i botës së gjallë, pa asnjë dyshim, është një histori suksesi. Aventura e jetës nuk ndali asnjëherë gjatë një rrugëtimi të paktën prej 3.5 miliardë vitesh.
Historia e planetit tonë gjithashtu është e mbushur plot me befasi. Atmosfera e sotme nuk është aspak ajo e djeshmja. Korja e tokës është goditur pa mëshirë nga meteoritë të shumtë, është lagur nga reshje e goditur nga rrufe të frikshme, është mbuluar nga akuj që më vonë janë tërhequr, është lëkundur nga tërmete të fuqishëm, kontinente që janë përbërë dhe shpërbërë nga njëri-tjetri, është plagosur nga vullkane të shumtë që kanë vjellë sasira të paimagjinushme llave, nga dete dhe oqeane që kanë shtrirë pushtetin e tyre mbi sterenë dhe janë tërhequr përsëri në kufinjtë e mëparshëm, nga stuhi të fuqishme që rrëmbejnë pluhurin e rërën dhe e çojnë mijëra e mijëra km larg.
E megjithatë, aventura e jetës ka vazhduar edhe pse është përballur më vështirësi të tejskajshme. Logjika e “kushtetutës së jetës”, miratuar nga Nëna Natyrë, ka qenë e thjeshtë. Neni i parë i saj është se nëse do të ekzistosh, përshtatu, ndryshe vdis. E në këtë rrugëtim tepër të vështirë, jeta mbijetoi duke lënë pas miliona e miliona lloje të vdekura për të mbrritur deri te llojet e sotme. Shkëmbinjtë që kanë ruajtur me xhelozi prej miliarda vitesh fosilet e qenieve që jetuan dikur, janë biblioteka më e madhe e historisë dhe dëshmisë së aventurës së jetës në Tokë.
Fatmirësisht, inteligjenca jonë njerëzore që lindi këtu e 180-200 mijë vite më parë ishte padyshim arma më e fuqishme, jo thjeshtë për mbijetesën tonë si Homo sapiens, por edhe për të studiuar pjesën tjetër të enigmave të planetit tonë. Biologët vunë rregull në botën e gjallë. Ata fillimisht klasifikuan qëniet e gjalla në kategori të ndryshme sistematike, e më vonë prodhuan instrumente për të kuptuar e shpjeguar magjinë e funksioneve të jetës.
Sa më shumë futemi në sekretet e makromolekulave e veçanërisht të ADN-së, aq më shumë kemi mundur të studiojmë historinë e jetës. Për një njeri të zakonshëm ndryshimi mes njeriut dhe një brejtësi është katërcipërisht i ndryshëm, por për biologjinë moderne nuk është kështu. Nëse i referohemi ndërtimit të molekulës magjike të ADN-së mund të kuptojmë se njeriu dhe brejtësi ndajnë një pjesë të përbashkët të materialit gjenetik. Po ashtu, për një njeri të zakonshëm, një kërpudhë është më shumë e ngjashme me një bimë, kur në të vëret kërpudhat janë më shumë të ngjashme me kafshët.
Jeta paraqitet sot me miliona lloje gjallesash që kanë ndërtim, forma, sjellje e funksione befasuese. Për të sigurur mbijetesën ato kanë gjetur mënyra të habitshme për t’u mbrojtur e sulmuar, për t’u riprodhur e ushqyer. E gjithë kjo botë që rrjedh rreth nesh, duke përfshirë edhe ne vetë, është e organizuar në një rrjet të tërë ndërlidhjesh, zinxhirësh ushqimorë, ku as një lloj nuk mund të ekzistojë pa ekzistuar llojet e tjerë. Në këtë botë të egër, për të ruajtur baraspeshën delikate në natyrë, çdo qenie ose do të hajë ose do të hahet. Kësaj ligjësie nuk i shpëton dot askush, ndaj mbijetesa është e vështirë, por jo e pasuksesëshme.
Shpesh botimet akademike janë të vështira për t’u kuptuar nga gjithkush. Por ka edhe mënyra të tjera për ta përcjellë këtë njohje deri te njerëzit e thjeshtë. Librat popullarizues të çdo lloj shkence luajnë rol të rëndësishëm në përmbushjen e këtij synimi. Dhe të tillë ka shumë. Unë vetë kam bërë disa botime të tilla duke e ndjerë si detyrim që atë që mësojmë për vete duhet ta ndajmë me të tjerët. Këtë radhë jam duke menduar ta shpjegoj biologjinë thjesht përmes faktesh, numrash e kuriozitetesh që të mbajnë të mbërthyer. Është një botë që me të vërtetë nuk e njohim mirë, megjithëse bashkëjetojmë me të.
Si mos të mbetemi pa frymë kur mësojmë se ka shpendë që mund të fluturojnë edhe një vit të tërë pa u ulur në tokë, kur mësojmë se bufi e rrotullon kokën 270 gradë, kur mësojmë se ka kafshë që kërcejnë disa metra lartësi ose vrapojnë deri në 320 km në orë, kur mësojmë mënyra komunikimi që të befasojnë, kur mësojmë se një fije e rrjetës së merimangës është më e fortë se një fije ekuivalente prej çeliku, kur mësojmë për gjitarë uji që qëndrojnë aq gjatë pa marrë frymë, kur mësojmë se vetëm gjuha e balenës ka madhësinë e një elefanti e sa e sa gjëra të tjera që të mbërthejnë e të lënë pa mend.
Për sot po u sjell vetëm dhjetë prej këtyre fakteve mbreslënëse. Lexim të mbarë!
• Në Venezule është një lloj peshku vrasës që jeton në pellgje të përkohëshme. Kur pellgjet thahen, embrionet e peshkut mund të mbijetojnë në baltë, pa ujë dhe pa oksigjen, për më shumë se 60 ditë. Asnjë krijesë tjetër nuk mund ta mbajë frymën për kaq gjatë!
• Ekziston një lloj bretkose në Afrikë, Trichobatrachus Robustus, që thyen qëllimisht një nga kockat e gishtit të këmbës. Ajo e shtyn kockën e thyer përmes lëkurës dhe e përdor atë si shkop për të goditur grabitqarin.
• Shkencëtarët vlerësojnë se vetëm në SHBA çdo vit vdesin deri në 988 milionë zogj për shkak të përplasjes me dritaret.
• Kolonia e termiteve tropikale përbëhet nga 3 000 000 anëtarë, ajo e milingonave të drurit nga 500 000 deri në 800 000 anëtarë dhe ajo e bletëve nga 40 000 deri në 80 000 anëtarë.
• Në kohët e lashta, mjekët indianë përdorën milingonat e gjalla për të qepur buzët e plagëve të pacientëve. Ata vendosonin aty një lloj milingone e cila ngulte këmbët në dy buzët e plagës. Miliongonës i pritej koka, ndërsa këmbët luanin rolin e kapëseve apo qepjes me penjë specialë të ditëve të sotme.
• Në vitin 1945, krokodilët hëngrën 980 ushtarë japonezë nga 1000 që ishin gjjithsej, të cilët hynë në një moçal për t’i shpëtuar sulmit të marinës britanike.
• Gjirafa është e vetmja kafshë që mund të lëpijë me gjuhë veshët e saj.
• Elefantët për të kapur vetëm një fije bari me trompën e tyre duhet të venë në lëvizje 40,000 muskuj.
• Mbretëresha e termiteve pjell një vezë çdo sekondë për 50 vite me radhë.
• Një kërpudhë afrikane rritet më shpejt se çdo organizëm tjetër në botë. Ajo rritet 1 cm në çdo minutë.
• Në vitin 1915, një koloni e tmerrshme karkalecash errësoi në mes të ditës qiellin e Jerusalemit. Dielli nuk mund të shihej më. Karkalecët hëngrën gjithçka dhe lanë pas miliona vezë. Për të pastruar vezët, çdo burrë nga mosha 15 deri në 60 vjeç duhej të mblidhte çdo ditë 5 kg vezë për t’i shkatërruar. Për fat të keq, vezët ishin aq të shumta sa 99% e tyre çelën përsëri vitin tjetër.
- Poetja e njohur Irma Kurti bashkëpunim me këngëtarin e njohur (VIDEO) - 23/11/2024
- “Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin: Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por… - 23/11/2024
- GREQI/ Ish-lideri i Syriza-s, Stefanos Kasselakis krijon partinë e re politike - 23/11/2024