11.5 C
Tirana
22 / 11 / 2024

Bejlerët që po “restaurojnë” fytyrën e Belerit…

Nga Martin Leka

Ai është autor i dyshuar për “Masakrën e Peshkëpisë”, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Posta kufitare shqiptare u sulmua 29 vjet më parë dhe Berisha e Meta, sidomos Berisha, e di mirë se sa andralla ka patur me ndërkombëtarët për burgosjen e “të pestëve” të Omonias për këtë ngjarje. Edhe sikur në thes të kishte 999 panxharë e një qepë nga ato që dalin kur bujkut i shpëton gjatë mbjelljes, nuk kishin si të fusnin dorën në thes e të kapnin Belerin. Po kjo s’ka lidhje me fatin. E zgjodhën me vetëdije të plotë. Atë që përpos hijeve për “masakrën e Peshkëpisë”, nxin edhe me deklaratat më të fundit nën sfondin e flamurit të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, ëndrra arkaike e të gjithë shovinistëve. Ky tha se do të helenizonte Himarën, ashtu siç tha edhe se prejardhja e shqiptarëve ishte diku nga malet e Kaukazit. Cfarë dreq cilësish të tjera do duhej të kishte një human për tu cilësuar antishqiptar?!… E megjithatë, për hir të së vërtetës, si në atë kohë e në këtë kohë, referuar komunizmit e demokracisë, regjimet, për shkak të delikatesës së pakicave kombëtare në marrëdhëniet me fqinjët që u përkasin, kanë qenë të kujdesëshme e të ekuilibruara, për të mos thënë në favor të pakicave për këtë shkak. Problemi ligjor i Belerit nga Himara është dhe duhet të mbetet vetëm problem i tij dhe vetëm ligjor. E megjithatë, si në raste të ngjashme e të ditura botërisht, nuk kishte si të mbetej i tillë. Doli nga ligji e u bë edhe politik. Politik nacional e ndërkombëtar. I shfrytëzuar sidomos nga fqinjët grekë, të cilët si dhe ne, janë në fushatë zgjedhjesh.

Por, le të kthehemi tek fillimi. Kush po kërkon të “restaurojë” face profile plot problematika nacionaliste të Belerit?   

I pari është Sali Berisha dhe Ilir Meta. Janë këta që nën siglën “Bashkë fitojmë”, dhanë viston që ky njeriu të nusëronte këtë të dielë nën vellon e stilizuar prej tyre. Duke harruar e shkelur moralin e tyre politik e patriotik, dyshja harroi të gjitha hijet që nxijnë e mjegullojnë Fredi Belerin, kandidatin e arrestuar dy ditë më parë për shitblerje të votës. Kanë patur plot figura dinjitoze e me integritet të lartë nga minoriteti grek në Shqipëri të kandidonin në bashkinë e Himarës. Duhet ta kishin nuhatjen për ndjeshmërinë politike në rastin konkret. Nuk e bënë. Dhe kur e bënë, e bënë në mënyrën më të keqe të mundëshme, duke vënë edhe njëherë në provë e në një pozicion të padëshirueshëm jo vetëm marrëdhëniet mes dy qeverive, por edhe duke nxitur ndjenja të panevojëshme nacionaliste tek shtetasit shqiptarë me kombësi shqiptare e greke.

I dyti është prokurori apo prokurorët që urdhëruan arrestimin e Belerit dy ditë para zgjedhjeve. Nxitimi për ta bërë këtë pikërisht në këtë kohë, do të thotë ti japësh “formë” portretit të baltosur. Beleri do ishte thjeshtë një emër në listat e votimit, siç edhe është, dhe kaq. Me arrestimin, ata e bënë fytyrën e tij të shfaqej nëpër media kudo, brenda e jashtë vendit. Aty e kishin edhe dy ditë më pas, aty i kishin dhe provat, nëse i kanë, dhe mund të prisnin dy ditë pikërisht për efekt të ndjeshmërive që ka një ngjarje e tillë në kohë zgjedhjesh. Pa paragjykuar dhe pa hyrë në detaje ligjore, pa shkelur dhe pa i hequr drejtësisë e ligjit themelin e tij, mund të ishte gjetur së paku kohë tjetër për të bërë arrestimin e Belerit. “Ligji është llastik”, thotë një fjalë e vjetër dhe ndoshta duhej ta kishin me vete prokurorët e Vlorës në këtë rast.

I treti është Edi Rama. E teproi ditët e fundit të fushatës dhe e bëri një personazh gogol. E sulmoi gjer në teprim. Aq sa duke i përmendur përgjegjësinë e çdo njeriu mbi të dyzetat për fytyrën e vet, duket sikur i dha një dorë retush pikërisht fytyrës së Belerit.

Një gjë është e sigurtë gjithsesi. Sado të mundohen ta restaurojnë e ta retushojnë, ai mbetet siç ka qenë e është. Dhe “fle” në strehën e fundit të maskarenjve.

Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x