Nga vjeshta e vitit 2024, të gjithë qytetarëve evropianë do t’u duhet vetëm një karikues me hyrje USB të tipit C, për të rimbushur pajisjet e vogla elektronike; ndërsa në 2026-n, i njëjti karikues do të kthehet në normë për kompjuterëte tipit laptop.
Me një shumicë dërrmuese prej 602 votash pro, përballë 13 kundër dhe 8 abstenim, Parlamenti Evropian miratoi rregulla të reja për një karikues universal për të gjithë telefonët dhe tabletat.
“Të 14 kategoritë e produkteve që janë pjesë e këtij ligji; nga smartfonët tek kufjet e deri tek tabletat do të kenë një karikues të vetëm duke filluar nga vjeshta e vitit 2024”, u shpreh euro-deputeti socialist, Alex Agius Saliba.
Prodhuesit e pajisjeve elektronike i kanë rezistuar për vite me radhë presionit të BE-së për standardizimin e teknologjive. Ky vendim do t’i prekë të gjithë ata dhe në veçanti kompaninë amerikane “Apple”, që do ta ndjejë më shumë.
Qeveritë evropiane pritet të japin konsensusin final brenda muajit e më pas, legjislacioni do të hyjë në fuqi. Vendet anëtare do të kenë më pas 12 muaj kohë për të ndryshuar rregulloren dhe në përfundim do ta aplikojnë atë.