Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i ftuar në Top News, ka komentuar protestën e veteranëve të UÇK-së në Tiranë dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj krerëve të saj në Hagë.
Klosi deklaroi se, nëse do të thirrej të dëshmonte në Gjykatën Speciale, do të pohonte se UÇK nuk ka qenë kurrë një ushtri terroriste, por një ushtri çlirimtare.
“Shumë shpejt edhe partnerët ndërkombëtarë u bënë partnerë me UÇK-në dhe e konsideruan ushtri çlirimtare, duke bashkëpunuar fort me të”, tha ai.
Sipas Klosit, Tirana në atë periudhë luante rolin e ndërmjetësit, pasi fillimisht UÇK ishte një strukturë e panjohur, por më pas edhe ndërkombëtarët kuptuan se diçka e rëndësishme po ndodhte në Kosovë.
“Ndërkombëtarët i kanë njohur si partnerë dhe kjo vazhdoi deri në fund. Më vjen keq që një gjykatë, që është vetë kosovare, bën akuza të tilla”, theksoi ai.
Në lidhje me zgjatjen e procesit gjyqësor në Hagë, Klosi u shpreh se Bashkimi Europian ka shpenzuar rreth 1.2 miliardë euro për këtë gjykatë, çka mund të jetë një nga arsyet pse procesi po zvarritet.
“Nuk parashikoj si do të përfundojë ky proces. Gjykatësit duket sikur po e zgjasin qëllimisht, kanë kaluar dy vjet. Nëse prokuroria i kishte të qarta akuzat, nuk kishte pse të zgjatej kaq shumë”, tha ai.
Klosi komentoi edhe raportet e ftohta mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
“Në Shqipëri është e qartë se asnjëherë nuk kanë rënë dakord për asgjë. Më vjen keq që në Kosovë po përsëritet e njëjta situatë. Mos të harrojmë se po gjykohet ish-presidenti dhe kryetari i parlamentit të vendit, figura shumë të rëndësishme. Kurti është në armiqësi të hapur me historinë e UÇK-së”, u shpreh Klosi.
Ai kujtoi se Kurti ka qenë pjesëtar në fillimet e lëvizjes dhe zëdhënësi politik i UÇK-së, por pas Konferencës së Rambujesë u distancua nga struktura e saj.
“Nëse donte ta ndihmonte UÇK-në, duhej të dilte në mal. Ai u justifikua se nuk ishte mirë me shëndet dhe nuk mund ta përballonte jetën atje. Që atëherë e ka ndier veten të mangët që nuk mori pjesë në çlirimin e Kosovës, që është ngjarja më e madhe e kombit shqiptar. Sot, në pushtet, ai ende e ruan atë ndjesi dhe ka probleme me UÇK-në”, shtoi Klosi, duke nënvizuar se qëndrimet e Kurtit e kanë treguar hapur këtë kundërshti.
Në fund, Klosi foli edhe për tensionet mes Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara.
“Vetë emri i partisë së tij, ‘Vetëvendosje’, tregon që është kundër këshillave të të tjerëve. Fakti që ndjehen keq që s’kanë marrë pjesë në luftë, po përpiqen tani të duken si patriotë, sepse flasin për sovranitetin e Kosovës, por dihet që shteti i Kosovës ende nuk është sovran, janë trupat e NATO-s që garantojnë sigurinë e tij”, përfundoi Klosi.
- Salianji e pranon hapur: Po! Kam ambicie për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike - 23/10/2025
- Berisha po u gëzohet konstatimeve, qeveria po u gëzohet rekomandimeve - 23/10/2025
- Putin reagon për herë të parë pas sanksioneve të SHBA: Akt jo-miqësor, por Rusia nuk do t’i nënshtrohet presionit - 23/10/2025