Shkak i aksidentit tragjik që ndodhi një ditë më parë në mbikalimin e TEG-ut, që la pas tre viktima, dyshohet se ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën ka lëvizur mjeti tip ‘Audi’. Shefi i qarkullimit rrugor, Taulant Gjoka në një intervistë për Report Tv totë se çështja është në hetim për të përcaktuar nëse ka pasur shkaqe edhe shkaqe të tjera që kanë çuar humbjen e kontrollit të mjetit nga shoferi 20-vjeçar Klevis Ruçaj.
“Shkak dyshohet shpejtësia dhe një reagim i vonuar i drejtuesit të Audit, por çështja është në hetim për të parë nëse kemi faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë aksident përveç atyre që shihen nga pamjet filmike”, tha Gjoka për Report Tv.
Në intervistën dhënë gazetarit Sokol dema, Gjoka tha se ky aksident mund të shmangej nëse drejtuesi i mjetit do kishte respektuar shpejtësinë maksimale të lejuar në këtë aks. Gjoka thekson ky aks në të cilën ka ndodhur aksidenti është i gjithi i pajisur me sinjalistikën e duhur rrugore. Mjeti ka qenë duke lëvizur nga zona e Shkozës në drejtim të rreth rrotullimit TEG.
“Jemi në një sistem interaktiv ku ndërpritet unaza lindore me rrugën interurbane Tiranë-Elbasan. Nëse hedhim një sy itinerarit duke qartë që sinjalizimi rrugor në këtë aks është i plotë, kemi një marsh zbritës me distancë të konsiderueshëm për të reaguar nga shpejtësia maksimale që është 80 km/h për të ardhur me marsh zbritës në afërsi të vendit të ngjarjes që është 40 km/h. Nëse do respektohej shpejtësia maksimale e lejuar në këtë segment rrugor nuk do kishim atë aksident rrugor dhe do ishin parandaluar pasojat tragjike”, vijoi Gjoka.