Presidenti amerikan Donald Trump, brenda një dite, kaloi nga kërcënimi për “shkatërrimin” e Iranit te shpallja se udhëheqja e Republikës Islamike kishte paraqitur një plan “të zbatueshëm” që e çoi atë të pranonte një armëpushim 14-ditor, që pritet të hapë rrugën për t’i dhënë fund luftës gati gjashtë-javore.
Ky ndryshim dramatik erdhi ndërsa ndërmjetësit, të udhëhequr nga Pakistani, punuan me nxitim për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Edhe Kina, partneri më i madh tregtar i Iranit dhe konkurrenti ekonomik më i rëndësishëm i SHBA-ve, lëvizi prapaskenat për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit.
“Arsyeja për ta bërë këtë është se tashmë kemi arritur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe jemi shumë përpara me një Marrëveshje përfundimtare për Paqe afatgjatë me Iranin, dhe Paqe në Lindjen e Mesme,” deklaroi Trump në një postim në rrjetet sociale duke njoftuar armëpushimin e përkohshëm, rreth 90 minuta para afatit të tij për Teheranin që të hapte ngushticën kritike të Hormuzit ose të shihte uzinat e energjisë dhe infrastrukturën e tjera jetike të shkatërroheshin.
Presidenti pritet të takohet këtë të mërkurë në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Armëpushimi dhe plani për rihapjen e ngushticës pritet të jenë në qendër të bisedimeve.
Ndërsa afati afrohej, ligjvënësit demokratë e dënuan kërcënimin që bëri dje Trump për të zhdukur një civilizim të tërë (lexo këtu) si “një dështim moral” dhe Papa Leo XIV paralajmëroi se sulmet ndaj infrastrukturës civile do të shkelin ligjin ndërkombëtar, duke i quajtur komentet e presidentit “tërësisht të papranueshme”.
Por në fund, Trump mund të ketë hequr dorë për shkak të një të vërtete të thjeshtë: përshkallëzimi mund të rrezikonte përfshirjen e SHBA-ve në një “luftë të pafund” të ngjashme me ato që kishin munduar paraardhësit e tij dhe që ai kishte premtuar se do ta shmangte nëse votuesit e kthenin në Shtëpinë e Bardhë.
Kontrolli i ngushticës do të ishte një operacion i gjatë dhe i kushtueshëm
Ndërsa Trump mburrej për suksesin ushtarak të SHBA-ve dhe Izraelit gjatë gjashtë javëve të fundit, ai dukej se punonte mbi premisën se mund ta bombardonte Iranin deri në dorëzim.
Duke filluar me vrasjen e Ajatollah Ali Khamenei në sulmet e para të luftës, ai dukej se e nënvlerësonte mundësinë që udhëheqja iraniane të zgjidhte një luftë të gjatë e të përgjakshme.
Republika Islamike gjatë 47 viteve të fundit ka treguar vazhdimisht se është e gatshme të qëndrojë, edhe kur duket se vepron kundër interesave të veta.
Analistët e mbrojtjes pajtoheshin se ushtria amerikane mund të merrte shpejt kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, rrugës së ngushtë ujore mes Iranit dhe Omanit ku kalon rreth 20% e naftës botërore çdo ditë. Por ruajtja e sigurisë mbi këtë rrugë do të kërkonte një operacion të rrezikshëm dhe intensiv që mund të zgjaste për vite me radhë.
Ben Connable, drejtor ekzekutiv i grupit jofitimprurës Battle Research Group, tha se sigurimi i ngushticës do të kërkonte që ushtria amerikane të kontrollonte rreth 600 kilometra territor iranian, nga Ishulli Kish në Perëndim deri në Bandar Abbas në Lindje, për të ndaluar Iranin të lëshonte raketa ndaj anijeve që kalojnë. Ai tha se kjo do të kërkonte rreth tre divizione këmbësorie amerikane, afërsisht 30-45 mijë trupa.
Plani i armëpushimit dy-javor
Plani i armëpushimit dyjavor përfshin lejimin e Iranit dhe Omanit të vendosin tarifa për anijet që kalojnë nëpër Hormuz. Irani do të përdorte paratë për rindërtim. Ndërsa përdorimi i parave nga Omani nuk është sqaruar.
Senatori Chris Murphy tha pas shpalljes së armëpushimit se Trump praktikisht po i jepte Teheranit “kontrollin” e ngushticës dhe po dorëzonte “një fitore historike për Iranin”.
Trump dhe modeli i tij i tërheqjes nga kërkesat maksimale
Shpallja e armëpushimit erdhi pasi kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif i kërkoi Trump-it të zgjaste afatin e tij me dy javë për t’i dhënë diplomacisë kohë, ndërsa i kërkoi Iranit të hapte ngushticën për dy javë.
Dy javët janë bërë intervali i preferuar i Trump-it për t’i dhënë vetes kohë kur merr vendime të mëdha. Ai e ka përdorur shpesh këtë afat si mjet për të shtyrë ose zbutur kërkesat e tij.
Shtëpia e Bardhë festoi të martën në mbrëmje, duke i atribuar suksesin fuqisë së ushtrisë amerikane dhe manovrave të Trump-it, që krijuan kushtet për armëpushimin.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt u shoreh: “Kurrë mos e nënvlerësoni aftësinë e presidentit Trump për të avancuar me sukses interesat e Amerikës dhe për të ndërmjetësuar paqen.”
- Armëpushimi/ Sanchez: Nuk duartrokas ata që i vënë flakën botës dhe pastaj shfaqen me një kovë me ujë - 08/04/2026
- Rama në Spitalin Rajonal të Lezhës: Do të rrisim pagat dhe do të përmirësojmë kushtet për mjekët - 08/04/2026
- “Katastrofë politike”/ Udhëheqësi i opozitës izraelite kritikon ashpër Netanyahun për armëpushimin: Ne as nuk ishim në tryezën e bisedimeve - 08/04/2026