6.5 C
Tirana
31 / 01 / 2026

Marrëdhënia e Trump me Epstein, çfarë zbulojnë dosjet dhe çfarë mohon presidenti

Mungesa e Donald Trump nga publikimet e mëparshme të dosjeve të Jeffrey Epstein ka tërhequr vëmendje, por miqësia e tij e dikurshme me financierin e diskredituar vazhdon të jetë nën lupën e opinionit publik.

Donald Trump është fotografuar disa herë me Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000. Në atë periudhë, ata konsideroheshin pjesë e të njëjtit rreth shoqëror në Palm Beach dhe New York.

Në një intervistë për New York Magazine në vitin 2002, Trump e përshkruante Epstein si një “djalë të mrekullueshëm”, duke shtuar se ai “e shijonte jetën shoqërore” dhe se i pëlqenin “gratë e bukura, shpesh më të reja”.

Pas arrestimit të dytë të Epstein në vitin 2019, Trump ndryshoi ton. Ai deklaroi se nuk kishte folur me Epstein prej rreth 15 vitesh dhe se kishte pasur një grindje me të.

“E njihja siç e njihnin të gjithë në Palm Beach. Nuk isha fans i tij,” u shpreh Trump, duke shtuar se nuk kishte pasur dijeni për abuzimet seksuale të Epstein.

Ai e ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të financierit.

Trump përmendet në dokumente të publikuara më parë në lidhje me Epstein dhe Ghislaine Maxwell, e cila në vitin 2022 u dënua me 20 vjet burg për trafikim seksual të të miturave.

Sipas regjistrave të fluturimeve të paraqitura në gjyqin e Maxwell, Trump ka udhëtuar disa herë me avionin privat të Epstein mes viteve 1993 dhe 1997.

Një nga akuzueset e Epstein ka deklaruar gjithashtu se ka kaluar disa orë në një kazino të Trump, por pa pohuar se e kishte takuar vetë presidentin.

Në shtator, demokratët publikuan dokumente që sugjeronin se Trump i kishte dërguar Epsteinit një mesazh ditëlindjeje në vitin 2003, i shoqëruar me një skicë femre. Trump e mohoi kategorikisht autorësinë, duke e quajtur raportimin “të rremë dhe shpifës”.

“Këto nuk janë fjalët e mia. Unë nuk flas kështu dhe nuk vizatoj,” deklaroi ai.

Sipas një raporti të Wall Street Journal më 24 korrik, Trump ishte informuar në maj se emri i tij ishte në dosjet e Epstein, së bashku me figura të tjera të njohura publike.

Shtëpia e Bardhë fillimisht e mohoi raportin, por më pas një zyrtar tha për Reuters se administrata nuk e kundërshton faktin që emri i Trump përfshihet në dokumente.

Përmendja në dosje nuk përbën provë për shkelje penale. Deri më sot, Donald Trump nuk është akuzuar për asnjë krim dhe asnjë nga viktimat e Epstein nuk e ka paditur apo akuzuar drejtpërdrejt.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x