5.5 C
Tirana
22 / 01 / 2026

Video/ Stuhia e fuqishme godet Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, përmbytje dhe dallgë deri në 9 metra

Siçilia, Sardenja dhe Kalabria u vunë në alarm të kuq pasi stuhia e fuqishme “Hari” goditi Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, duke shkaktuar mot ekstrem, përmbytje të përhapura dhe dëme të mëdha materiale.

Autoritetet evakuuan zonat bregdetare, mbyllën shkollat dhe ndaluan hyrjen në plazhe, ndërsa qindra operacione shpëtimi u kryen në pak orë.

Në Siçili, reshjet e rrëmbyeshme përmbytën rrugë dhe sheshe, ndërsa erërat e forta dhe dallgët krijuan efekte të ngjashme me “cunami”. Rreth 190 persona u evakuuan si masë paraprake. Pamje dramatike u regjistruan në Mazara del Vallo, ku dallgët kaluan 8 metra, dhe në Catania, ku arritën 5 metra. Në zonën e Mesinës u shemb një pjesë e rrugës bregdetare në Santa Teresa di Riva, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.Situatë e rëndë u shënua edhe në Kalabri. Në Crotone, dy lagje u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa një pjesë e varrezave të vjetra u shemb, duke tërhequr rreth 20 arkivole në një përrua. Në Sardenjë, deti hyri në vendbanimet bregdetare pranë Kaljarit, me rrugë të mbyllura për shkak të përmbytjeve. Departamenti i Zjarrfikësve raportoi 65 ndërhyrje shpëtimi vetëm në 12 orët e fundit.

https://twitter.com/i/status/2013919719053574326

Autoritetet theksuan se intensiteti i “Harit” ishte veçanërisht i lartë, me erëra deri në 130 km/orë në disa zona. Megjithëse kushtet nisën të përmirësohen nga pasditja e së martës, strukturat e emergjencës mbeten në gatishmëri.

https://twitter.com/i/status/2013920829378011220

https://twitter.com/i/status/2014016450303041561

Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, dëmet vetëm në Siçili kanë kaluar gjysmën e miliardit euro. Presidenti i rajonit, Renato Schifani, tha se pas përfundimit të fazës së shpëtimit ka nisur regjistrimi i dëmeve, veçanërisht në zonat e goditura nga Deti Jon. Sektori i peshkimit është ndër më të prekurit, me një numër të madh anijesh të shkatërruara. Cikloni “Hari” shkaktoi probleme serioze edhe në Kalabri, veçanërisht në Catanzaro, ku zjarrfikësit shpëtuan një punonjës të energjisë elektrike nga rreziku i mbytjes.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë, ndërsa paralajmërimet mbeten në fuqi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x