Replikat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me ato se çfarë u thanë ndaj gazetarit greko-amerikan, John Defterios, në panelin e samitit të Abu Dhabit për “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”, më 14 janar, nuk kaloi pa i marrë vëmendjen dhe homologut të tij, Kyriakos Mitsotakis.
Ky i fundit, i ftuar më 17 janar në një emision grek “Savatokiriako me ton Manesi”, në Alpha Tv, dha një përgjigje Ramës lidhur me deklaratat e kryeministrit tonë.
Mitsotakis u shpreh se e njeh Ramën prej vitesh, e që sipas tij “i shpëtojnë disa gjëra që nuk duhen thënë. Duke i cilësuar deklaratat e kryesocialistit “gabim”, kryeministri grek theksoi se Shqipëria është kandidate për unionin evropian. Për këtë, duket se kryeministri grek bëri një rikujtesë, duke u shprehur se “Zoti Rama e di shumë mirë se rruga e Shqipërise drejt Evropës kalon edhe nga Greqia“.
“Dëgjo, dua të jem i sinqertë. E njoh Edi Ramën prej vitesh, e kam parë se si shprehet dhe ndonjëherë i shpëtojnë gjëra që nuk duhen thënë. Ajo që tha ishte një gabim i kotë. Dhe mendoj se jam i kënaqur që gjeti një mënyrë për ta korrigjuar. Nuk ka asnjë arsye. Shqipëria është një vend fqinj dhe kemi shumë tematika me Shqipërinë. Është një vend kandidat për në BE. Z. Rama e di shumë mirë se rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon edhe nga Greqia. Mendoj se ishte një deklaratë e papërshtatshme, le ta lëmë pas”, tha kryeministri grek.