20-vjeçari Pavlo Broshkov u bashkua me ushtrinë ukrainase në mars me shpresën për të mbrojtur vendin dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen e tij, por vetëm tre muaj më vonë, ai e gjeti veten të plagosur rëndë në fushën e betejës, me ëndrrat e shkatërruara.
“E kuptova se ishte momenti kur do të bëhesha copë-copë. Nuk kisha frikë nga vdekja, por nga ideja se nuk do t’i shihja më gruan dhe vajzën time”, tha ai për Reuters.
Broshkov është një nga qindra të rinjtë 18–24 vjeç që këtë vit u rekrutuan vullnetarë, të joshur nga pagat dhe bonuset e larta që Kievi ofroi për të forcuar radhët e ushtrisë së lodhur nga luftimet e zgjatura kundër Rusisë. Ukraina po humbet gradualisht territor në lindje, ndërsa mungesa e trupave konsiderohet arsyeja kryesore e pengesave.
Reuters ndoqi Broshkovin dhe 10 shokë të tij nga një kurs i shpejtë stërvitor pranveror deri në destinacionin final, vijën e parë të frontit. Asnjëri prej tyre sot nuk është më në luftë. Bilanci është tragjik: katër të plagosur, tre të zhdukur, dy larguar pa leje, një i sëmurë dhe një vetëvrasje e konfirmuar.
Rekrutimi i të rinjve, një pasqyrë e dramës së luftës
Rasti i tyre ilustron koston e rëndë njerëzore të konfliktit, në një kohë kur të dyja palët shmangin publikimin e shifrave të sakta të humbjeve. Ushtria dhe brigada ku shërbyen rekrutët nuk komentuan mbi rastet.
Broshkov vetë i shpëtoi vdekjes për pak. I plagosur në të dy këmbët në rajonin e Donetskut, ai kujton momentin kur një dron rus me eksploziv qëndronte mbi të. Pjesëtarët e njësisë arritën ta rrëzonin pak sekonda para shpërthimit.
Por miku i tij më i afërt, 25-vjeçari Yevhen Yushchenko, rezulton i zhdukur që prej korrikut. Motra e tij vazhdon kërkimet, ndërsa e pranon se çdo ditë përballet me zërat se mund të ketë rënë ose të jetë marrë peng. “Refuzoj ta besoj deri në momentin e fundit”, thotë ai.
Edhe dy rekrutë të tjerë, Borys Niku dhe Illia Kozik, figurojnë të zhdukur sipas të dhënave zyrtare. Broshkov tregon se shpesh e ka menduar se si do të ishte të kishte mbetur pranë mikut të tij: “Të luftonim dhe të binim së bashku.”
Stërvitje intensive, pritshmëri të larta dhe realitet brutal
Fushata e rekrutimit të të rinjve, e nisur në shkurt, erdhi në një kohë kur ushtria ukrainase, me një moshë mesatare 47 vjeç, po përballej me mungesë serioze personeli. Vullnetarëve iu ofruan paga deri në 2,900 dollarë, bonus 24,000 dollarë dhe kredi të buta, një ndryshim i madh nga mobilizimi i detyrueshëm që u ul vitin e kaluar nga mosha 27 në 25 vjeç.
Në kampin stërvitor, rekrutët kaluan ditë intensive me simulime dronësh, stërvitje fizike e psikologjike, dhe mësuan se urdhrat duhen zbatuar pa pyetje. Në qershor, grupi mori dërgesën e parë drejt frontit.
“Kuzma”, një 23-vjeçar që kërkoi të identifikohej vetëm me nofkën e tij, ishte ndër të parët që u plagos rëndë pas një sulmi me dron. Ai e përshkruan përvojën me një detaj të errët: “Ishte era. Era e barutit dhe kufomave.”
Dhimbja, pasojat dhe rikthimi në jetë
Broshkov dhe Kuzma u takuan sërish vetëm në spitalin e Odesës, njëri në karrocë, tjetri me qepje në trup. “Dy invalidë 18–24 vjeç” ,tha Broshkov me ironi të hidhur.
Ndërkohë, raste të tjera brenda të njëjtit grup përfshijnë edhe vetëvrasjen e një rekruti, e dokumentuar nga autoritetet lokale.
Broshkov vazhdon të përballet me dhimbje dhe ankth, por nuk është penduar.
“Jam 20 vjeç. Nuk kam parë shumë nga jeta, por shkova atje. Nëse do të më ofrohej përsëri, do ta bëja”, shprehet ai.
“Bëra atë që duhet të bëjë çdo qytetar i përgjegjshëm”, thotë ai. Ndërsa gruaja e tij 19-vjeçare, Kristina, mendon se lufta e ka ndryshuar bashkëshortin dhe se fushata e rekrutimit u ka marrë jetën shumë të rinjve.
“Janë fëmijë 18-vjeçarë. Ata ende duhet të jetojnë, të mësojnë, të rriten”, shprehet ajo.