Pesë janë deri tani pikat kryesore që janë diskutuar në bisedimet e nisura dje në Gjenevë mes përfaqësuesve ukrainas dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ukraina i konsideron këto pika të patjetërsueshme, ndërsa për të gjitha çështjet e tjera, sipas një burimi europian, nga Kievi vijnë sinjale fleksibiliteti. Qëndrimi ukrainas mbështetet plotësisht nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Italisë, si dhe nga Komisioni Europian.
1. Territoret e pushtuara
Delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga Andriy Yermak, ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë njohje ligjore të territoreve të pushtuara me forcë nga ushtria ruse. Presidenti Zelensky ka ripërsëritur se është i gatshëm të negociojë “duke u nisur nga linja aktuale e frontit”. Në praktikë, kjo do të thotë se askush nuk pret rikthimin e plotë të katër rajoneve të pushtuara (Donetsk, Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia), megjithatë, sipas planit amerikan, ato territore do të konsiderohen “de facto” nën kontroll rus.
Kjo nuk është njohja formale ligjore “de jure” që kërkon Vladimir Putin, por përforcon realitetin e ri në terren: Në ato zona të marrë nga Ukraina, komandën e kanë rusët. Ky është problemi i parë dhe më i vështirë për t’u zgjidhur, së bashku me kthimin e fëmijëve të rrëmbyer dhe shkëmbimin e të burgosurve.
2. Garancitë e sigurisë
Një tjetër çështje kyçe lidhet me garancitë e sigurisë. Blloku ukrainas dhe ai europian kanë vlerësuar se SHBA-të ka bërë një hap të rëndësishëm, duke u angazhuar për një mekanizëm të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, që do të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur Ukrainën në rast të një sulmi të ri rus. Megjithatë, kërkohet një formulë më e saktë, duke eliminuar hapësirat e vlerësimit që ka plani “Trump”, ku presidenti amerikan vendos se sa serioze është kërcënimi dhe cilat kundërmasa duhet marrë.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar sugjerojnë krijimin e një force reagimi të shpejtë, e gatshme të ndërhyjë në rast agresioni të ri. Gjithashtu, është e nevojshme monitorimi i vazhdueshëm i lëvizjeve të forcave ruse për të parandaluar surpriza. Diplomacia po punon për të krijuar një mekanizëm mbrojtës për Ukrainën “si NATO”.
Nëse kjo zgjidhje realizohet, Ukraina mund të heqë dorë nga anëtarësimi në Aleancën Atlantike.
3. Reduktimi i ushtrisë ukrainase
Putin kërkonte çarmatimin e Ukrainës. Plani amerikan propozon uljen e numrit të ushtarëve nga 800 mijë në 600 mijë. Nëse garancitë e sigurisë janë të forta dhe të detyrueshme, qeveria Zelensky është e gatshme të pranojë edhe reduktimin e ushtrisë, si dhe mund të mos ketë nevojë për praninë e forcave të huaja brenda territorit: ato mund të jenë jashtë kufijve, por të gatshme të ndërhyjnë kur të nevojitet.
4. Anëtarësimi në Bashkimin Europian
Kjo duket pika më e realizueshme. Propozimi amerikan përfshin qartë hyrjen e Ukrainës në BE dhe deri tani nuk ka kundërshtime nga Rusia.
5. Centrali bërthamor i Zaporizhias
Për ukrainasit, ideja e ndarjes së energjisë me Rusinë nuk ka kuptim. Deri tani, të dy ekipet nuk kanë hyrë në detaje për këtë çështje, por nëse blloku i parë i marrëveshjes do të zgjidhet, mund të fillojë diskutimi edhe për këtë.
Përveç këtyre, mbeten të hapura edhe tema të tjera, si përdorimi i gjuhës ruse dhe financimi i rindërtimit, ku Zelensky synon të përdorë rezervat e ngrira ruse në Europë për të mbështetur investimet.
Analizë nga Corriere della Sera