18.5 C
Tirana
13 / 11 / 2025

Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia

Kjo foto, e një gjysheje që arnon rrobat e mbesës së saj, i përket zonave rurale të Anglisë së viteve 1910. Po kaq, ky episod na tregon edhe vitet e socializmit në vendin tonë.

Ndoshta jo të gjithë u rritëm me këto petka të arnuara, e bukën me racion.

Varfëria dhe skamja, kryesisht në fshatra, rëndonte më shumë në familjet me shumë fëmijë, edhe pse socializmi premtoi parajsën, veçanërisht për ta.

Ata që patën këtë fat të hidhur preferuan të mos i harrojnë, as sot kur nuk u mungon asgjë me përjashtim të së njerëzishmes, me të cilën ata sfiduan mjerimin dhe triumfuan mbi pamundësitë.

Ndoshta erdhi koha të harrojmë arnat, por gishtat e nënave i ruajnë ende shpimet e gjipërave dhe shpirti i tyre nuk ka mundur t’i shërojë plagët e dhimbjes që la varfëria, edhe pse sot, shumë prej tyre që janë të braktosura, do të preferonin më mirë atë kohë dhe ato mundime, se të sotmen që u la atyre kujtimet dhe vetminë.

Ne i’a lamë kohës që iku këto episode, që nënat s’na lënë t’i harrojmë, ndoshta për të na treguar se nga erdhëm dhe të na kujtojnë se ata, nënat, bënë kaq shumë, për të merituar kaq pak. E pse?! Për rrobe pa arna dhe… trup e shpirt të dërrmuar nga braktisja e njëri-tjetrit dhe shterrimi i mirësisë dhe dashurisë që erdhi me kohën, po kaq sa me nënshtrimin tonë.

Arnat në rroba, në gjunjë, në bërryla apo në të ndenjura, nuk na treguan vetëm varfërinë ku u rritëm, por edhe sa e pasur ishte fëmijëria jonë dhe sa e shenjtë ishte përkushtimi i nënave, atyre që u sakatoheshin duart e u lëngonte zemra.

Ishte kohë tjetër ajo, kohë që na lumturonte çdo gjë sado e vogël dhe e parëndësishme, sikurse për ndonjë gjë të re që na blinin, por nuk na hidhëruan kurrë; çorapet e grisura apo këpucët e çara, çantat prej lecke apo buka thatë.

Ishte ajo kohë, po, ajo kohë që nuk na zinte gjumi gjithë natën nga gëzimi; i pantollonave të reja, këpucëve, shpesh ose më të vogla ose më të mëdha, një fustani të sajuar, apo fundi me një copë çfarëdo.

Ishte kohë tjetër atëherë, dhe ne, të tjerë jemi sot, me këto kujtime që vijnë, jo për të na prishur gostinë e së sotmes, se sa për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x