12.5 C
Tirana
05 / 11 / 2025

Zoran Mamdani një fenomen botëror.

Nga Auron Tare

“New York është një qytet i ndërtuar nga emigrantët, do të mbetet një strehë për emigrantët dhe që nga sot do të drejtohet nga një emigrant.”
— Zohran Mamdani

Sot Amerika u zgjua me një tronditje thelbësore në politikën e saj tradicionale. Një i ri mysliman, vetëm 34 vjeç, rrëzoi një dinasti politike të korruptuar në palcë, duke u bërë Kryetari i ri i Bashkisë së New Yorkut.
I sulmuar nga një establishment politik jo vetëm i plakur në pamje, por edhe në ide dhe lidership, Mamdani përmbysi të gjitha parashikimet politike të analistëve të përnatshëm në televizionet amerikane. Ai është myslimani i parë në Shtetet e Bashkuara që arriti të mundë të gjithë skeptikët konservatorë, kristianë apo protestantë, të cilët u përpoqën ta kanalizonin debatin si një çështje esencialisht politiko-fetare, duke paralajmëruar një “katastrofë” mbi New Yorkun nëse një qytetar “i ndryshëm”, një emigrant, një mysliman, do të vinte në pushtet.

Në fakt, Mamdani ia doli të mobilizonte një numër të madh vullnetarësh, të cilët çdo ditë punuan me përkushtim për një ndryshim kaq thelbësor në politikën e New Yorkut. Ai solli në debat protestën dhe shpirtin e mijëra newjorkezëve, zëri i të cilëve nuk dëgjohej nga establishmenti i korruptuar politik që sundonte mbi qytetin.
Mamdani, në kontrast me një kandidat të lodhur nga pushteti i gjatë, u mor me problemet themelore të qytetit: transportin, menaxhimin e mbetjeve, qiratë e larta, shendetesine dhe faktin që qyteti ka një nivel të ulët të cilësisë së jetesës. Të gjitha këto çështje e bënë atë një kandidat shumë të pëlqyeshëm për një popullatë të lodhur nga stanjacioni i gjatë politiko-ekonomik që ka mbërthyer qytetin e famshëm.
Zgjedhja e një të riu që vinte nga anonimiteti është, në fakt, një shembull i gjallë se si një brez i ri politikanësh idealistë po rrëzon status quo-në politiko-ekonomike në Amerikë.

Shembulli i Mamdanit do të ketë një efekt thelbësor në shumë vende dhe është pa diskutim, një dëshmi se si një brez i ri mund të rrëzojë establishmentin politiko-ekonomik. Me shpresën se ky shembull do të lexohet edhe në Shqipëri nëse, sigurisht, ka të rinj që mund të ndjekin modelin Mamdani.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x