Pjesë nga libri ”Ndeshje me të keqen – Staffan de Mistura: Një jetë me luftëra e zgjidhje konfliktesh” (Armbrytning med ondskan-Staffan de Mistura: Ett liv med krig och konfliktlösning)
Stafan de Mistura është një diplomat suedezo-italian. Autori i librit Erik Olson ka bërë një libër me intervistat e zhvilluara me këtë veteran të OKB-së. Në këtë libër ai sjell një pjesë të jetës së këtij diplomati si i dërguar i KB në vende të ndryshme të botës, ndër tjera edhe në Ballkan.
Tre kapituj të këtij libri i kushtohen perspektives shqiptare. Në një nga publikimet e mia të mëhershme kam sjellë historinë e këtij diplomati me Nënë Terezën në Sudan ku nobelistja shqiptare për paqe kishte shpëtuar mbi 300 000 refugjatë nga vdekja prej urisë.
Sot po ju sjell kapitullin e dytë që mban një titull interesant: Qeni që la Tiranën.
***
Pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të 1989 Evropa po hynte në një kohë optimizmi ndërkohë që në Gadishillin Ballkanik kontradiktat e pazgjidhura etnike po çonin ish-Jugosllavinë komuniste drejt luftërave të reja. As Shqipëria nuk mbeti jashtë rebelimeve.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës pushtetin në Shqipëri e mori mbështetësi i tij Ramiz Alia. Ai vazhdoi qeverisjen e vendit në frymën e Hoxhës. Kur u ngrit çështja e sistemit shumëpartiak, pas rënjes së Murit të Berlinit, Alia deklaronte se populli dëshironte të ruajë pushtetin e Partisë Komuniste Shqiptare. Dukej se ai nuk e ndjente shumë se ç’po ndodhte në shpirtin e shqiptarëve.
Në fillim të korrikut 1990, mijëra njerëz vërshuan një numër ambasadash të Evropës Perëndimore në Tiranë. Ata refuzuan të largoheshin nga hapësirat e ambasadave nëse nuk u jepej leje për t’u larguar nga vendi. Në anën tjetër, jashtë portave të ambasadave qëndronin ushtarë dhe forca të sigurimit shqiptar që kërcënonin se do të ndërhynin me forcë për ti arrestuar “huliganët”.
Në këtë kohë Stafan de Mistura punonte në Selinë Qendrore Evropiane të OKB-së në Gjenevë dhe dërgohet me urgjencë në Shqipëri për të gjetë një zgjidhje “pushtimit” të ambasadave.
Gjendja ishte kritike: Mijëra njerëz brenda hapësirave të ambasadave. Tualetet nuk mjaftonin dhe ishte dhënë urdhëri që të hapeshin tualete në kopshtet e ambasadave. Edhe furnizimi me ushqime e ujë të pijshëm ishte i kufizuar dhe nën kërcënimin e autoriteteve për ndërprerje.
Me të arritur në Tiranë, de Mistura kontakton me Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin. Vëren një nervozizëm te autoritetet. Vë kontakt edhe me shoqërinë civile dhe mëson një mundësi teorike të daljes nga situata e krijuar: që ”pushtuesit e ambasadave” të aplikonin për një leje daljeje si turistë!
Pas një sërë kontaktesh intensive me ambasadat e Gjermanisë, Italisë e Francës në një anë dhe me Sigurimin në anën tjetër u gjet një kompromis: do të lejohej një herë dhe kurrë më!
”Një kusht tjetër ishte që evakuimi nga ambasadat duhej të bëhej sa më qetësisht dhe diskret. Asnjë brohoritje, asnjë shfaqjeje gëzimi që mund të tërhiqte vëmendjen për të shkaktuar trazira të mëtejshme në rrugë.”
Ndërsa po punonte me ngulm për realizimin e këtij projekti Stafan de Mistura do të përjetojë emocione të paharrueshme nga dy takime të çuditshme që vetëm jeta nganjëherë di t’i ofrojë.
Përjetimi i parë te hoteli në pjesën qendrore të Tiranës – Kë takoi de Mistura?
”Kur mbërrita te hoteli, vonë në mbrëmje, pas ditës së dytë të punës, një punonjës i hotelit më thotë: Një zotëri me zonjën e tij duan të të takojnë.
Në një cep të hotelit, një çift të moshuarish ishin ulur në një divan. Burri ishte pothuajse tullac, i veshur me një kostum të vjetër por të pastër. Një shall mëndafshi i varej mbi shpatull. Ai më studioj me një vështrim plot gjallëri dhe depërtues. Gruaja kishte tipare të skalitura me hollësi, flokë të gjatë e të bardhë dhe një buzëqeshje të bukur e të butë.
Burri u ngrit dhe ma zgjati dorën. Nuk arrita të prezantohesha kur ai tha: Ti duhet të jesh Stafan de Mistura!
U habita dhe tunda kokën.
A do të doje të ulemi dhe të bisedojmë pak? E kam njohur mirë babain tënd.
Pastaj më prezantoi gruan e tij dhe filluam të bisedojmë. Qe historia e tij.
” Shikoni, unë jam poet. Dhe poezia ime është drejtuar gjithmonë kundër abuzimit me pushtetin dhe shtypjes. Kështu që kur fashistët italianë pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkrova poezi në shenjë proteste kundër dhunës që pasoi. Dhe kur komunistët pas luftës morën pushtetin kritikova tiraninë e tyre. Kjo do të thotë se kam kaluar shumë kohë në burg, në fakt pjesën më të madhe të jetës sime.”
Pastaj mu drejtua, të ka treguar babai yt se ai ka shërbyer në kalorësinë ushtarake italiane?
Ç’ ti thoja? Ai më kishte treguar disa episode e fragmente por jo dhe aq të detajuara. Pastaj as unë nuk e shtyja t ‘mi tregonte duke menduar se do të ndjente dhimbje duke i kujtuar.
Megjithëkëtë poeti i vjetër vazhdoi: “ Ka qenë viti 1930, një kohë kur mbretëria italiane ishte aleate me shtëpinë mbretërore të Shqipërisë. Mbreti shqiptar quhej Zogu I dhe mbretëresha Geraldinë. Më vonë ata do të përfitonin edhe trashëgimtarin e tyre, princ Lekën.
Italia kishte marrë përsipër të stërviste rojet e nderit të Mbretit Zog dhe kjo detyrë i kishte rënë babait tënd Emilio.
Emilio punoi shumë. E mësoi gjuhën dhe ia kushtoi gjithë kohën stërvitjes së 400 ushtarëve në forcën që do ta mbronte mbretin.
Por më vonë Benito Musolini urdhëroi ushtrinë italiane të pushtonte Shqipërinë për të nënshtruar vendin dhe për ta përdorur atë si pikëmbështetje për ta sulmuar Greqinë. Ka qenë e Premtja e Madhe e vitit 1939.
Babai yt ishte shumë i mërzitur nga agresioni I Musolinit. Ai ndjeu më shumë besnikëri për mbretin shqiptar se sa ndaj fashistit Musolini. Kështu që Emilio ndihmoi familjen mbretërore të kalonte shëndosh e mirë kufirin në Greqi. Pastaj u kthye në Shqipëri ku arrestohet me akuzën për tradhti.
Në të njëjtën kohë botova poezi dhe tekste tjera që drejtoheshin kundër pushtimit Italian. Gjithashtu u arrestova dhe u burgosa. Atëherë takova babain tënd në transportin e të burgosurve që do të na çonte në ishullin e Ponzës. Në këtë ishull Musolini i dërgonte të burgosurit politik, larg Shqipërisë, pranë bregut perëndimor të Italisë. Kjo ishte një formë ndëshkimi e quajtur konfino. Nuk ishte një burg në kuptimin formal por si një koloni të burgosurish. Na internuan në një pjesë të ishullit që ishte e rrethuar dhe mbikëqyrur nga rojet. Racionet e ushqimeve ishin të pakta dhe kryesisht na jepnin bukë të zezë, fasule, ujë dhe një herë në javë pak djathë. Unë dhe babai yt shkonim mirë dhe i tregonim njëri tjetrit për jetën tonë, profesionet, familjen, gëzimet dhe fatkeqësitë.
Qeni Fido
Në koloninë e të burgosurve kishte një qen që i përkiste një prifti. Qeni ishte i dobët dhe i sëmurë por mbaj mend që babai yt kujdesej shumë duke I dhënë nga një pjesë e racionit të tij ushqimor. Ai nuk ia dinte emrin qenit por e quante Fido.
Një ditë babai yt ishte zhdukur pa u parë. Më vonë mora vesh se ai kishte arritur të kalonte fshehurazi barrierat dhe të bindte disa peshkatarë që ta çonin në kontinent. Pastaj kishte shkuar në Milano ku prap ishte arrestuar nga njerëzit e Musolinit dhe e kishin burgosur.
Kur unë u lirova dhe u ktheva në Shqipëri u përpoqa të hulumtoja fatin e mëtejshëm të babait tënd. Zbulova se ai ia kishte dalë të arratisej përsëri diku nga fundi i luftës. Burgu ishte bombarduar nga britanikët dhe ai ia kishte dalë të arratisej së pari në Zvicër e më pas në Suedi ku kishte takuar një suedeze, Birgitën, me të cilën ishte martuar dhe më të kishte dy djem, Stafanin dhe tjetri Peter…dhe tani qe, takova Stafanin!”
Sigurisht që u ndjeva i tronditur dhe thellësisht i prekur nga historia që mësova, tregon de Mistura.
”Krejt papritur mora njohuri të reja mbi të kaluarën e babit tim dhe këto nga një person krejtësisht i panjohur për mua më parë. Në të njëjtën kohë ndjeva trishtim. Babai im Emilio kishte vdekur para afër 20 vitesh dhe nuk mund ti tregoja për këtë takim. Por nuk kisha kohë as për reflektime më të thella mbi përvojat e babit tim në Shqipëri dhe në Italinë e Musolinit.
I thashë lamtumirë çiftit të moshuar dhe shkova të flija gjumë në dhomën e hotelit.
Gjendja e mijëra shqiptarëve në ambasadat evropiane kishte pushtuar edhe vëmendjen time ”.
Të lehurat e Fidos së ri
Në ditën e tretë (të aktivitetit në Tiranë) përfunduan negociatat me autoritetet shqiptare në lidhje me largimin e refugjatëve nga ambasadat e huaja në Tiranë. Për këtë qëllim ishin nisur dy tragete për në Durrës, njëri italian dhe tjetri francez. Refugjatët do të shoqëroheshin nga Kryqi i Kuq.
Ditën e katërt Mistura e kaloi duke ndërgjegjësuar refugjatët për rëndësinë e evakuimit të tyre në heshtje dhe qetësi. Dhe ndërsa ky po fliste me një megafon në oborrin e ambasadës gjermane merr shqetësimin nga të lehurat e vazhdueshme të një qeni të vogël, qimebardhë po që lehte pa pushim para portës së ambasadës.
”Pronari i qenit ndodhej brenda kompleksit të ambasadës dhe nga nxitimi e kishte harruar jashtë. E ngrita qenin e vogël dhe me pak vështirësi arrita ta tërhiqja përtej gardhit dhe ia dërgova pronarit të tij. Për kënaqësinë time pashë qenin duke tundur bishtin me gëzim dhe duke u fërkuar te një djalë nga fundi i adoleshencës.”
Pasi informon refugjatët me udhëzimet e fundit u kërkon atyre që nëse i kanë kuptuar këtë ta tregojnë duke mbyllur sytë.
”Dhe atëherë pashë mijëra sy të pulitur brenda kopshtit të ambasadës”.
Të nesërmen në mëngjes u parkuan autobusët e huazuar me qera dhe evakuimi shkonte sipas planit në heshtje të plotë…
Me të mbërritur në portin e Durrësit autoritetet shqiptare do të kontrollonin refugjatët sipas një liste që kishin hartuar autoritetet diplomatike.
”Ishte një procedurë e tensionuar dhe që vinte në provë durimin. Kontrollin e pasaportave dhe të dokumenteve e bënte Sigurimi. Ata filmuan edhe ngjarjen duke shfaqur vrazhdësi e armiqësi. Por refugjatët e ambasadave qëndruan të qetë dhe të heshtur.
Në fund të njërit nga radhët e bërë qëndronte një i ri me një bluzë që i dilte e dyshimtë. Ishte ai pronari i qenit që e kishte fshehur mikun e tij katërkëmbësh dhe e kishte bërë një me trupin e tij.
Zyrtari shqiptar u indinjua: Çka ke këtu? Ju e dini që me vete nuk mund të merrni asgjë përveç një qese letre. Qenin nuk e keni në listë.
Stafan de Mistura po e ndiqte procesin e shënimit të pasagjerëve dhe sa dëgjon debatin rreth qenit ndërhyn me shpejtësi. ” A jeni absolutisht i sigurt se qeni nuk është në listë? Hidhni një sy regjistrit. Në fund të kolonës kisha shtuar emrin “Fido”. Të njëjtin emër që im at ia kishte vënë qenit për të cilin ishte kujdesur në burgun e Ponzës. Zyrtari rënkoi pak dhe përshëndeti djalin e qenin duke ua bërë me dorë që mund të kalonin…
Çka u tha në konferencën e shtypit në Nju Jork
Një ditë pasi anijet me refugjatë u larguan nga Shqipëria zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Fransua Guliani informoi gazetarët në selinë e OKB-së në Nju Jork duke theksuar se “Zoti de Mistura koordinoi evakuimin, i cili përfshinte largimin e sigurt dhe dinjitoz nga Shqipëria të afër 5 000 njerëzve si dhe të një qeni të racës së përzier.” Ai ndër tjera informoi gazetarët se gjatë transferimit për në Itali kishte lindur edhe një vajzë të cilës prindërit ia kishin vënë emrin Liri.
“Kur më dërguan në Shqipëri kisha vetëm një ide të paqartë sa i përket lidhjes së ngushtë të babait tim me vendin dhe familjen mbretërore të përmbysur. Por ndodh që papritur historia dhe e tashmja të bashkohen . M’u kujtua se jeta ofron surpriza të vazhdueshme. Në këtë rast, sigurisht bëhej fjalë për lidhjen e papritur me kohën kur babai im kaloi në Shqipëri. Poeti që u shfaq nga hiç krijoi një lidhje të mëtejme midis meje dhe babait tim Emilio. Bëhet fjalë për dashurinë e madhe që babai im ka pasur për qentë. Meqë ra fjala këtë dashuri e ndaj edhe unë.
Ndoshta ishte kujdesi i babait për qenin në kampin italian të të burgosurve në Ponza që mu shfaq pavetëdijshëm në mendje kur vetë ia ktheva qenin e vogël, të frikësuar që lehte jashtë ambasadës gjermane në Tiranë pronarit të tij të ligjshëm.”
Përshtati në shqip për TemA: Shuquri Sejdijaj, Stokholm
- Video/ Gola të anuluar dhe polemika për penallti, “El Clasico” i parë i sezonit i shkon Realit. Mbappe e Bellingham ‘gjunjëzojnë’ Barçën - 26/10/2025
- Nuk ka qeveri “Kurti 3”, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, ja si u ndanë votat në Kuvend - 26/10/2025
- Video/ Gol dhe festë si Ronaldo, Jasir Asani vijon me superformën e tij në Iran - 26/10/2025