Nga Albert Vataj
Ka muaj që rrjeti zien për ngjarjen futbollistike të 7 qershor 2025 në Air Albania, Tiranë. Më shumë se si një ndeshje, kjo sfidë sportive është pompuar me zjarrin nacionalist, duke e vendosur atë në një fushëbetejë me rëndësi historike. Ndoshta ne vijojmë të vuajmë sëmunden lindore të trashëguar nga e shkuara komuniste, nga ajo paranojë që injektonte protagonistët me drogën e detyrës heroike ndaj atdheut, të konisiderimit të rivalëve si kundërshtarë, të tillë që me doemos duhet mundur me çdo mjet, me shpirt nëpër dhëmbë, ndryshe je armik i atdheut, tradhtar i aspiratave, i shitur te i huaji, i bërë lanet. I tillë dhe kohëgjatë ka qenë ky injektim, aq sa u shkrua në kodin kodin tonë gjenetik. Të jetë vërtetë kështu?!
Gjithsesi, politika më shumë se historia, protagonizmi më shumë se sensibiliteti, urrejtja shumë më shumë se vetëdijësimi racional dhe pajtueshmëria me një realitet të ri, kanë bërë që panorama e “festës sportive” siç e quan Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndeshjen Shqipëri-Serbi, të interpretohet si një Guarnikë, tmerri dhe ferri e Pablo Picasso.
Realisht sporti gjithnjë është miksuar me përpushjen e ndjenjës kombëtare, me përgjegjësinë ideologjike të rivalitetit, me potencimin e energjive që thirren në një sfidë, si në një përcaktim të fateve të lara me gjak e me lot. Dhe kjo jo për ndezur shpirtin e garës, që udhëprinë drejt fitores, se sa për të rizgjuar fantazmat e së shkuarës, për të përpushur urët e zjarrit, dhe për t’i vënë këmbën në fyt ëndrrës, për të qenë pjesë e një bote progresi të paimagjinueshëm.
Atmosfera që ka parapri përballje e ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet sonte, më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, është një ekzagjerim, që nuk ka të bëjë me garantimin e mbarëvajtjes së zhvillimit të kësaj ndeshje, e aq më pak me pozicionin në grup që ka përfaqësuesja jonë, dhe rëndësinë që merr rezultati, në pretendimet tona për Kupën e Botës 2026.
Kjo sfidë ndoshta nuk është thjeshtë e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026 dhe një nga përballjet më të ndjeshme dhe të ngarkuara politikisht në futbollin evropian, se sa për spektakël frike dhe paniku, shtetrrethimi dhe kufizim i të drejtës për të drejtë.
Ata që dirigjojnë gjithë këtë shfaqje, me shumë gjasë, janë më të interesuar për shfaqjen, se sa për spektaklin në fushën e blertë, e aq më pak për rezultatin, i cili, në këto kushte ku hiperbolizohet gjithë kjo batërdi, do të jetë peshë e rëndë për 11 djemtë e shqipes, të cilët nuk do të kenë përballë 11 miq, me të cilët njihen, por një zezonë që duhet mundur me çdo kusht, sepse kjo është detyrë patriotike dhe jo angazhim futbollistik.
Kjo është hera e parë që Shqipëria dhe Serbia përballen në një ndeshje zyrtare që nga incidenti i vitit 2014 në Beograd, kur një dron me flamurin “Autochthonous” shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes dhe trazira në fushë. UEFA e dha atëherë fitoren 3-0 për Shqipërinë në tavolinë. Tensionet mbeten të larta për shkak të çështjeve historike dhe politike, veçanërisht lidhur me Kosovën.
Për të shmangur incidente, autoritetet shqiptare kanë marrë masa të rrepta sigurie. Tifozët serbë nuk do të lejohen në stadium, si pjesë e një dënimi të UEFA-s ndaj Federatës Serbe për sjellje të mëparshme të tifozëve. Ndërkohë, tifozët shqiptarë janë lejuar të ndjekin ndeshjen, por përmes një sistemi të kontrolluar të shitjes së biletave për të garantuar sigurinë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë thirrje që ndeshja të shihet si një festë sportive dhe jo si një përballje politike. Ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes pozitive për ekipin kombëtar dhe ka kërkuar nga tifozët të tregojnë maturi dhe respekt.
Do të ishte naivitet dhe dritëshkurtësi nëse këtë përballje do ta konsideroja si çdo tjetër, sepse kjo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të historisë mes dy vendeve, por edhe për pozicionimin në grupin kualifikues. Shqipëria synon të përfitojë nga avantazhi i fushës dhe mbështetja e tifozëve për të siguruar një rezultat pozitiv në rrugën drejt Kupës së Botës 2026. Por a është bërë sa dhe si duhet kjo, që atmosfera paraprirëse të jetë ajo që mobilizon djemtë dhe ruan qetësinë në stafet menaxhuese?!
Gjithsesi, ajo që mbetet për t’u bërë, edhe pse është tepër vonë, është krijimi i ekuilibreve psikologjik dhe emocional të atyre djemve që hyjnë në fushë sonte për të fituar. Duhet ç’mësohemi nga dramaciteti nacional i spertit, nga shfrytëzimi i kësaj mundësi si një valvul shkarkimit të urrejtjes shekullore, për ta zevendësuar atë me qytetari, mirëkuptim dhe tolerancë. Sepse, ndoshta nuk na është dhënë ne fati i privilegjit për të rishkruar historinë, e cila për hir të së vërtetës nuk gjen asnjë ngacmues në një ndeshje futbolli, për të shërbyer si katalizator i ndryshimit të së shkuarës.
Serbët që janë sonte në Air Albania, ndoshta nuk janë tamam ata që ne duam të jenë, ndaj të cilëve të zbrazim një qiell ferri hakmarrje, për padrejtësitë dhe mizoritë që ata kanë bërë ndaj shqiptarëve dhe në veçanti ndaj vëllezërve tanë të Kosovës. Sikurse politika dhe opinioni, e andejme dhe e këndejme, ka qenë jo dhe aq e distancuar nga frymëzimi i fanatizmit nacional, dhe qasja për ta zhvendosur fokusin e kësaj ndeshje në një betejë. Rrjedhimisht, ata dhe ne, jemi të marrë përdhunshëm nga kjo logjikë, për të na futur në fushë si në një arenë gladiatorësh, ku nuk ka fitues dhe humbës, por të gjallë dhe të vdekur.
Por shpresoj dhe besoj se jo të gjithë ata që janë në rol protagonisti, të kanë hequr dorë nga e drejta për të qenë racional dhe për ta vlerësuar këtë ndeshje, jo vetëm si një “festë sportive”, por si një përgjegjësi fitoreje, ndaj vetes si futbollist, por edhe ndaj atyre që do të jenë me zemër dhe me shpirt në shkallët e stadiumit, jashtë Air Albania dhe në ambientet familjare, që shumëpresin një rezultat që i ushqen ëndrrën për botërorin 2026.
Shqipëri-Serbi, mund dhe duhet të jetë vërtetë një ngjarje historike… futbollistike.
- Edi Paloka: Menduam se do fitonim prej Donald Trump, por ky popull shitet për bukën e gojës - 07/06/2025
- Dështimi i seancës së 28 të votimit për Albulena Haxhiun si kryetare Kuvendi, Qemal Minxhozi: Kurti duhet të gjejë emër tjetër - 07/06/2025
- Qemal Minxhozi: Klasa politike kosovare po luan sfidën e sundimit, jo të kompromisit politik - 07/06/2025