Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije për mediat se deri më tani në KQZ kanë mbërritur 19.025 zarfa votimi nga diaspora, ndërsa deri në fund të ditës pritet që kjo shifër të shkojë në rreth 22 mijë, që përbëjnë 12.5% të numrit total të votuesve.
“Zgjedhësit që e kanë marrë në dorë zarfin janë 154.770, pra 62% e zgjedhësve e kanë marrë dokumentacionin zgjedhor,” u shpreh Celibashi gjatë një deklarate për mediat.
Ai theksoi se problematikat më të mëdha në procesin e shpërndarjes së zarfave janë hasur në Greqi, ndaj sqaroi se kanë ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e situatës.
“Kemi kontaktuar kompaninë për ta pasur në vëmendje situatën. Pak më parë patëm dhe një komunikim me përfaqësuesit e saj në Greqi, dhe kemi marrë prej tyre premtimin, që është edhe kontraktual, për një fokus të shtuar në këtë proces”, tha ai.
Ai shtoi se nga 157 mijë votues që kanë marrë fletën e votimit, numri i çështjeve të raportuara është i kufizuar, me pjesën më të madhe të tyre që lidhen me shpërndarjen në disa shtete si Greqia dhe Italia.
Celibashi ka theksuar se KQZ ka një komunikim të vazhdueshëm me SPAK lidhur me hetimet për problematikat zgjedhore, e në këtë kontekst, ai bëri me dije se janë duke u ndjekur disa procedime konkrete që kanë ardhur si rezultat i denoncimeve nga subjektet zgjedhore dhe lajmeve të publikuara në media.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Kemi pasur një komunikim për një çështje të caktuar, dhe në një komunikim të sotëm, SPAK mund ta bëjë publik se ka një numër procedimesh që janë duke u ndjekur,” shpjegoi Celibashi.
Celibashi u shpreh gjithashtu për rastet e votuesve që kanë publikuar fotografi të votës së tyre, një praktikë që ai e cilësoi si vepër penale. Komisioneri bëri thirrje për partitë politike që të mos inkurajojnë këto veprime te votuesit e tyre.
“Dua të ribëj me dije që fotografimi i votës dhe ajo çka po ndodh në rrjetet sociale përbën një vepër penale. Nuk jam unë autoriteti që e përcakton këtë, por unë e shoh si një shkelje të ligjit. Publikimi i votës është rreptësisht i ndaluar,” tha ai.