5.5 C
Tirana
31 / 01 / 2026

Heremiti Frençesk Radi

Nga Edison Ypi

Heremiti Frençesk Radi nuk ishte tokësor.

Heremiti Frençesk Radi ishte qiellor.

Heremiti Frençesk Radi ishte një realitet kozmik, një materie yjore, një aliazh celestial, një shkrirje divine e talentit, disensit, revoltës, paqes, seriozitetit, urtësisë, humanizmit, harmonisë, bukurisë.

Heremiti Frençesk Radi, ishte një realitet unikal, i patjetërsueshëm, i pavjetërueshëm, i pakrahasueshëm, me asnjë dhe me asgjë në krejt ferrin diktatorial të cilit i ra pash më pash, e kqyri skutë më skutë, e vuajti çast më çast.
Heremiti Frençesk Radi kurrë nuk kërkoi, kurrë nuk pretendoi, kurrë nuk lypi, asgjë nga golgothaja që e rrethonte.
Heremitit Frençesk Radi i mjaftonte vetja e vet, vujtjet e veta, drita e vet.

Pakica më e vyer se shumica, ngushtimi më komod se zgjerimi, të gjithë të ndryshëm më produktiv se të gjithë të njëjtë, veç e veç më mirë se byth më bythë, këto dhe të tjera Heremiti Frençesk Radi i kuptoi dhe i interiorizoi që herët.

Dhe bëri atë çka mendja, zemra, shpirti, miliarda qelizat e trupit dhe të trurit e urdhëruan të bënte.
U tërhoq, u veçua, u mbyll.

Në një tjerët Univers, nën një tjetër qiell, me të tjera ligje, të tjera rregulla, krejt të ndryshme nga ai i skëterrës komuniste prej të cilës, në mënyrën e vet, u çlirua përgjithmonë që në kohën kur prangat kërrcisnin, kalashnikovi sharronte, spiunllëku bënte kërrdinë.

Shpella ku u mbyll Heremiti Frençesk Radi nuk ishte prej balte, as argjilore, as shkëmbore, apo prej ndonjë materiali tjetër të butë, që preket, deformohet, gërrvishtet.

Shpella brenda të cilës Heremiti Frençesk Radi u mbyll në shenjtërinë e vet ishte e tëra prej diamanti.
Heremiti Frençesk Radi preferoi të jetojë i veçuar në një shpellë që ishte e tëra e tija.

Heremiti Frençesk Radi refuzoi të bashkëjetojë me llumin në ferrin e çakërrdisur plot krisma, klithma, ulurima, marshe, çizme mbi asfalt, plumba mbi trup.
Heremiti Frençesk Radi nuk ishte i pari Heremit i botës.

Para Heremitit Frençesk Radi të tjerë heremitë të famshëm e të lavdishëm, Lagushi, Beethoveni, Erik Satie, Shopenhauri, Shën Tereza, dhe, pa përjashtim, krejt shenjtorët e botës, për të njëjtat arësye kishin bërë të njëjtën gjë, ishin mbyllur në shpellë.

Ata në të tyren, Frençesk Radi në të vetën, secili i lumtur në veçimin e vet, sakrificën e vet, përkushtimin, devocionin, shenjtërinë, e vet.

Si të gjithë heremitët, edhe Heremiti Frençesk Radi, gdhihej e ngrysej gjithë kohës i rrethuar nga halabakë dhe spiuna, të cilët, do e kishin vrarë do e kishin bërë copa, mishin do ja kishin grirë, në hell do ta kishin shkuar.
Por e lanë në “marrëzinë” e vet. Nuk e masakruan. Për asnjë arësye tjetër përpos asaj se shpella e Heremitit Frençesk Radi j’u duk e ngushtë, e vogël, e errët, drita e qiririt e zbehtë, gjëra të parrezikshme për diktaturën, krahasuar me digat, traktorat, prozhektorët, fabrikat, uzinat e tyre. Le të gjallojë Heremiti Frençesk Radi duke u tmerruar dhe zilepsur nga tejkalimi i planeve, bollëku imagjinar, fitoret inekzistente. Kemi partinë dhe marksizëm leninizmin që na mbron nga çdo armik.

Heremiti Frençesk Radi që e pagoi me skrificat e veta shenjtërore, ishte Ai pararendësi i Lirisë sotme, autostradave, supermarketeve, vilave, dy e tre makinave, dhe jo halabakët dhe spiunat që i vuri Sigurimi ta rrëmbenin flamurin.

Thoshin proletarët: Mjerë Heremiti Frençesk Radi që jeton brenda në shpellën e errët ku të merret fryma, verbohesh nga errësira, vdes nga asfiksia.
Në fakt, shella e Heremitit Frençesk Radi ishte plot dritë Perëndie dhe fllad Lirie. Të mjerët dhe fatkeqët ishin turmat, proletarët, hyzmeqarët. E ngushtë, e pisët dhe e errët, ishte boshllëku shtazarak proletar ku të merrej fryma nga kafshëria.
Dhe ironia ishte se kur dita-ditës proletarët kujtonin se Heremitin Frençesk Radi e mposhtnin, e heshtnin, e turpëronin, ndodhte e kundërta, aq më thellë Heremiti Frençesk Radi ua rraste komunistave Noc Rrokun.
Heremiti Frençesk Radi nuk kishte absolutishte asgjë soc-realiste si kta legenat e tanishëm, skllevërit puthadorë të atëhershëm, që pëllasin sot si liberatorë.
Grusht bashkuar, sup-më-sup, për Heremitin Frençesk Radi ishin më të largëta se infiniti.
Heremitin Frençesk Radi do e kujtojnë brezat se i la Shqipërisë dëshminë monumentale:
Urtësia, butësia, mirkuptimi, paqja, bukuria, tingujt, melodia, muzika, tekstet e mira, janë të vetmet mjete që mposhtin dhe shkatërrojnë ulurimat e mbledhjeve, turpin e autokritikave, urratë e kongreseve, çizmet e ushtarëve, telat me gjëmba, torturat, internimet, burgosjet, varjet, pushkatimet, dhe të gjitha të zezat e tjera ku janë e ku s’janë me kuç e me maç, që sytë u dalçin atyre që i iniciuan dhe nostalgjikëve që u dhimben.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x