Nga Pashk Përvathi
Në tetorin e vitit 2007, Bashkia e Korçës organizoi të parën koloni, “Ditët e Mios”, për të përkujtuar me vepra të realizuara në natyrë, kolosin e madh të peizazhit shqiptar. Duhet thënë që në fillim se kjo koloni shënoi risi në organizimin e aktiviteteve në fushën e arteve figurative. Nën shembullin e saj, vetëm pak vite më vone, ajo u pasua me koloni të tjera nga disa organizatorë në të gjithë vendin, traditë që vijon edhe në ditët e sotme. Por te parët janë ata, pikërisht Bashkia e Korçës. Kryetari i atëhershëm Niko Peleshi dhe organizatori i kolonisë, skulptori Vladimit Topi, organizuan për disa vite radhazi koloni të shkëlqyera. Në to morën pjesë piktorët më të mirë shqiptarë që trajtonin gjininë e peizazhit. Mjafton të përmend këtu piktorët: Kujtim Buza, Mustafa Arapi, Skënder Kamberi, Qamil Prizreni, Buron Kaceli, Agron Dine, Nikolin Ivanaj, Vangjo Vasili, Anastas Kostandini, Sefedin Stafa, Sadik Kasa, Adrian Devolli, Agim dhe Xheneta Kadillari, Agron Polovina, Zaim Elezi, Arif Lushi e plot të tjerë, për të dëshmuar kualitetin e këtyre kolonive. Manifestimet e atyre diteve ktheheshin në një festë të vërtetë. Piktorët me kaseta në krah kanë renduar në të gjitha skajet e rrethit të Korçës duke zbuluar bukuritë e natyres. Asokohe zbuluam Vithkuqin, Polenën, Gjançin, Floqin, pa përmendur pikturimin e Manave të Drenovës, aq i dashur si motiv edhe për mjeshtrin e madh Mio. Fundi i çdo kolonie kurorëzohej me ekspozitë, ndërkohë dhe Galeria e artit e Korçës pasurohej me vepra të këtyre mjeshtërve. Ky shkëlqim zgjati për disa vite për të ardhur viti 2015, duke e ndryshuar krejt në koncept organizimin e “Ditëve të Mios”.
Do ta kisha mirëkuptuar organizatorin e kolonisë “Ditët e Mios”, nëse do të kishte bërë rotacion të piktorëve peisazhistë, duke mos i thirrur përherë të njëjtët, megjithëse i rri mendimit së të keshë të lartpermendurit në koloni, do të ishte vetë nderi i kolonisë t’i kishte si pjesëmarrës të përhershëm në ndërthurje më piktorë të tjerë peizazhistë. Jamkrejt i bindur se Vangjush Mio nuk nderohet me piktorë që nuk kanë lidhje me natyrën. E them këtë se vetë Mio ka shkuar cep me cep të Korçes e deri në Pogradec për të pikturuar, hipur në biçikletë. Ai kërkonte motivet e tij në natyrë. Në pikturë i ndjehet drita, ajri dhe aroma e mëngjesit korçar. Ai ka sakrifikuar për artin. E ta nderosh mjeshtrin e madh do duhej më së pari të ishin dishepujt e tij, me kaseta në krah, që rendin rrethinave të Korçës, në kërkim të motiveve, kendeve e momenteve piktorike.
Piktorët e thirrur në kolonitë mbas vitit 2015 janë kryesisht piktorë abstrakt e konceptualë, që mblidhen në studjo e “derdhin” talentin e bojën si “dashuri e nderim” për Mion. Ata nuk dalin në natyrë, sepse koncepti i pikturës së tyre nuk ka lidhje me natyrën. Ata nuk shkojnë në vendet ku ka pikturuar mjeshtri në respekt të historisë së tij. Ndonjë peisazhist i paktë që është thirrur është nga ata anësorët e artit shqiptar. Thirrën edhe piktorë nga shtete të tjera, me arsyetimin për ta ndërkombtarizuar kolonine. Janë një grup i njëjtë që i sheh në vendet ballkanike por dhe jashte tyre, që nuk kanë asnjë lidhje me trajtimin e peizazhit, por ajo që i lidh është njohja mes vetë atyre dhe mediokriteti i artit qe realizojnë. Këtu unë ndahem me organizatorët e Kolonisë së Korçës. Jo, zotërinj. Vangjush Mio nuk nderohet kështu. Përkundrazi, ju nuk tregoni as seriozitetin më të vogël për ta nderuar atë. Pse e devijuat konceptin e kolonisë në fillesën e saj? Vetë zgjedhja e “Ditëve të Mios” ishte mjaft e gjetur simolikisht. Mio ishte mjeshtër i vjeshtës së bukur korçare, e prandaj merrte kuptim manifestimi vetem me peisazhistë. Ashtu nderohej Mjeshtri, rritej autoriteti i peisazhisteve dhe vetë numri i tyre në mbarë vendin. Korça dhe rrethinat fiksohej në telajo, për të qenë edhe si dëshmi e përkushtimit dhe mirënjohjes për traditën e shkëlqyer që u krijua pikërisht prej pëisazhistit të madh Vagjush Mio.
Në Shqipëri prej vitit 2015, pikërisht duke respektuar parimet e pikturimit në natyrë, është krijuar Grupimi i peisazhisteve Plein-air. Ky grupim respekton edhe mbeshtetet në traditën më të mirë ndërkombëtare por dhe në atë të mjeshtrit tonë Vangjush Mio. Me keqardhje e them se nga ky grupim duke filluar nga viti 2015, nuk është ftuar asnjëri prej piktorëve për të marrë pjesë në “Ditet e Mios”. Dhe këtu unë kam një formulim timin: ose në Bashkinë e Korçës ia kanë deleguar organizimin e aktivitetit “Ditët e Mios” dikujt që më së paku nuk ka njohje fare për artin e pikturës, ose më e rënda, që ka dashakeqësi për piktorët e tjerë që pikturojnë në natyrë, si dikur i madhi Mio. Por këtu nuk shfajësohen as drejtuesit aktualë të Bashkisë së Korçës. Ata nuk duhet ta kishin lejuar devijimin prej vitesh të konceptit fillestar të kolonisë “Ditët e Mios”. Unë ju them, binduni të nderuar drejtues të Bashkisë së Korçës, se Ju nuk po e nderoni Vangjush Mion me këtë lloj organizimi të aktivitetit (!) E meqë jemi këtu, dua t’ju përmend një detaj. Në vitin 2020, Presidenti i Republikes ka dekoruar piktorin Vangjush Mio me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Por nuk u kujtuat Ju të nderuar për ta propozuar, megjithëse duhet ta kishit bërë Ju, sepse Mio më së pari i takon Korçës si për ta nderuar, por dhe për t’u krenuar me të. U kujtuam ne piktorët e shoqatës se Plenerit për ta propozuar te Presidenti i Republikës. E bëmë se nuk u kujtuar Ju, e bëmë në vlerësim të veprës dhe trashëgimisë së vyer që i la Kombit dhe Artit. S’ka gjë se nuk na thirrni në festimin “Ditet e Mios”. Edhe pa na thirrur Ju, prej 17 vitesh jemi të pranishëm në Korçë dhe rrethinat e saj. Vithkuqi vibrues i ngjyrave pikante në vjeshtë mbetet gjithnjë frymëzimi ynë.
Ne peisazhistët e duam Mion tonë të madh. Ai është paraprijësi i formimit të peizazhistëve të sotëm shqiptar. Ai qe shkolla dhe frymëzimi për ta trajtuar natyrën në pikturë. Klasi i tij e ngre atë në të njëjtin nivel me impresionistët më të mirë ndërkombëtarë të shekullit të kaluar. Ta nderojmë të gjithë së bashku mjeshtrin e madh, duke reflektuar me pozitivitet në të ardhmen, së pari nga vetë organizatorët e “Ditëve te Mios” në Bashkinë e Korçës. Për këtë ju garantojmë mbështetjen e plotë të shoqatës se Pleneristëve shqiptarë, që si objekt të krijimtarisë së tyre kanë peizazhin.
- “Edi Rama i tmerruar nga fati i Berishës”, Basha: E piketoi si partner për zgjedhjet e ardhshme, në një garë se kush është më pak i korruptuar - 21/11/2024
- Rama prezanton projektin e ri të Ujrave Termale të Bënjës në Përmet - 21/11/2024
- Ndërron jetë ish-zëvendëskryeministri britanik, John Prescott - 21/11/2024