Teksa Komisioni i Rithemelimit ka zyrtarizuar përmes votimit të strukturave të saj lidershipin e ri t ë PD, Sali Berisha, një pjesë e deputetëve të PD që njohin Enkelejd Alibeaj si kryetar partie, kërkuan të martën nga Gjykata e Apelit që të dalë sa më shpejt me një vendim për këtë ccështjen që lidhet me kontrollin e partisë.
Deputeti i PD-së Dashnor Sula kërkoi informacion në gjykatë se kur mund të shqyrtohet çështja, ndërsa ishte i shoqëruar nga deputetët Andia Ulliri, Arbi Agalliu dhe Saimir Korreshi.
Sula theksoi se Apeli duhet të japë një vendim përfundimtar, ndërsa shtoi se do të bëjnë sërish një tjetër kërkesë për përshpejtim të gjykimit të çështjes, ndonëse një kërkesë e tillë është bërë edhe në muajin maj.
Sipas Sulës, nuk iu intereson se për cilën palë do jepet vendimi, por është e rëndësishme që të marrë fund kjo agoni.
“Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së kemi kërkuar që të jemi të pranishëm te Gjykata e Apelit me qëllimin e vetëm për mos ndikuar në rezultatin final, por për të patur një shpejtim të gjykimit.
Ne gjykojmë dhe mendojmë, pa dashur të bëjmë presion, persona të interesuar qoftë nga mazhoranca apo aktorë të tjerë politikë janë të interesuar që kjo çështje të mos gjykohet së shpejti në Gjykatën e Apelit. Ne jemi këtu që ky vendim të gjykohet një sahat e më parë. Kërkojmë të marrë fund kjo agoni. Për sa kohë një vendim gjykate mbahet peng, kjo është në dëm të demokracisë, sepse ndikon në mbarëvajtjen e punës së PD. Do i paraqesim dhe një shkresë, si një palë e interesuar për të përshpejtuar vendimin, s’jemi të interesuar për kë shkon vendimi, na intereson vendimi përfundimtar, marrja e një vendimi final”, tha ndër të tjera deputeti i PD Dashnor Sula.