Nuk do të mund ta besoni se kjo është reale, e aq më pak të jetë punuar me dorë nga një durim që thyen të gjithë rregullat dhe sfidon të gjithë kodet. “Moisi i shpëtuar nga ujërat e Nilit” është pagëzimi i artit të gdhendjes së një guaske, realizuar me një mjeshtëri virtuoze nga artisti italian, Giovanni Sabbato. Triumfi i shpirtit tejkalon çdo cak dhe shkallmon çdo kufizim që rreket të na kyç në pamundësinë për t’iu qasur botës si një mrekulli e mrekullive të krijimit. Mjeshtrit ju deshën 10 vjet punë për ta shndërruar këtë guacë dhe fuqinë eterne të besimit në një kryevepër të vërtetë gdhendjeje, nga viti 1873 deri në vitin 1883.
Mjeshtëria e koraleve dhe e kameos të Torre del Greco i ka rrënjët në të kaluarën. Arti i gdhendjes në këmbët e Vezuvit daton që nga koha romake, objekte të shkëlqyera që kanë ardhur deri tek ne dëshmojnë për praktikën e jashtëzakonshme të krijimit të bukurisë me kalimin e kohës.
Historia e foshnjës Moisi në një shportë që vendoset në lumin Nil dhe shpëtohet nga vajza e Faraonit është një nga skenat ikonike të historisë së Eksodit.
Vetëm imagjinojeni se çfarë mund të bëjë një vullnet titan, dhe se si ai shpirt i bukur rreket t’i përkasi përjetësisë dhe të na magjepsi edhe sot, pavarësisht sofistikimit dhe modernizimit që i kemi bërë jetës dhe se si komportohemi ndaj të bukurës estetike.
Përgatiti: Albert Vataj