16.5 C
Tirana
18 / 04 / 2026

NGA ARBEN MANAJ/ KSAMILI MES DUA LIPES DHE POLAKUT PAWEL!

Unë dhe Dua e duam Ksamilin, ndaj po investojmë aty! Dua Lipa e ka më të lehtë, për shkak të famës dhe llogarisë bankare!

Ajo ndoshta ka një këndvështrim më idilik të “Maldiveve të Evropës”, sesa unë dhe polaku Pawel, lëre pastaj operatorin e jetskive, Peco, “cepellsi” nga Ksamili apo Iliri nga Kreta, që le shtëpitë me qera!

Perveç Duas, të gjithë të tjerët nuk e kanë të lehtë të jetojnë dhe punojnë në “Maldivet” e Shqipërisë!

Për faj edhe të tyre, por edhe të atyre që do duhet të menaxhojnë macro “principatën e jugut”!

Ksamili rrezikon të jetë një flluckë sapuni dhe ashtu si kjo verë që thuhet se mund të jetë më e freskëta deri më sot edhe ky resort mund të jetë më i mbushuri me të huaj se në vitet në vazhdim!

Fatkeqësia e neokapitalistëve shqiptarë është sotpërsotshmëria e fitimit, mundësisht brenda 24 orëve dhe dështimi për një vizion më të qendrueshëm në biznesbërje!

Oferta dhe më saktë çmimet, veçanërisht të çadrave dhe shezlongëve apo disa shërbimeve të tjera, janë në shpërpjestim me bukurinë ujore dhe atë ç’ka Ksamili e ka prej Zotit dhe deri diku edhe të atyre që kanë vendosur të jetojnë aty, duke investuar gjithçka kanë fituar e fitojnë ata dhe fëmijët e tyre nëpër Evropë!

Këto çmime sidomos nëpër plazhe, po dëmtojnë skalionet e tjera të atyre që mundësojnë pushimet në resort si hotelerinë private, restorantet, aktivitetet ujore, sherbimet e qiradhënies së makinave, me përjashtim të supermarketeve që po bëjnë “kërdinë”, pasi aty po e gjejnë shpëtimin pushuesit e huaj dhe ata vendas!

Për një familje me dy fëmijë minimalisht shkon 40 mijë lekë dy çadra që me kursin aktual plus-minus janë 40 euro, sa gjysma afërsisht e akomodimit, plus shpenzimet e ushqimit ku një drekë minimalisht shkon 60 euro, mëngjesi dhe darka e duan po aq të dyja bashkë, pa përfshirë argëtime të tjera, nëse e përzgjedh si opsion, sepse karburanti dhe udhëtimet nëpër resorte të tjera nuk i përfshij!

Por në Ksamil ka edhe çadra deri në 1 mijë euro me një Dom Perignon!!! si me qenë në Mikonos!

Kundërargumenti është kërkesë-oferta dhe nëse s’ta mban xhepi shko gjetkë!

Por Ksamili dhe si ofrohet në mediat botërore është shumë më i lirë se kaq dhe zhgënjimi do përplaset si bumerang në vitin e ardhshëm dhe në vijim!

Transporti mbetet një tmerr i vërtetë, bashkë me parkimin kur tërë pushuesit e Sarandës i mbivendosen Ksamilit dhe pa makinë private mos u nis fare!

Nëpër portale, polak, ukrainas, spanjoll a italian, letonez a anglez, pyesin sa kushton ardhja nga Aeroporti në Ksamil dhe pergjigjia e vetme mbetet në shumicën e rasteve taksitë që të kripin kokën, siç mund ta imagjinosh 30 euro nga Saranda në Ksamil!

Ndërkohë që ka autobuzë dhe fugon ndërqytetas nga Tirana në Sarandë a Përmet, Shkodër a Kukës, përse të mos ketë të paktën një terminal nga Rinasi drejt Velipojës, Durrësit, Vlorës, Dhërmiut a Sarandës e Ksmailit për të huajt!

Kaq e vështirë qenka krahasuar me linjat e trenave apo aeroporteve më afër resorteve apo linjave të trageteve që kurrë nuk kanë operuar në Shqipëri, aq më tepër atë post-komunisten, siç shikon kur rri ulur në Ksamil nëpër ngushticën e Korfuzit!

Kaq e vështirë është më shumë autobuze urban Sarandë-Ksmail apo furgona nga Ksamili tek Pema e Thatë tërë pluhur dhe gropa apo në plazhe të tjera si Arameras apo gjetkë mes Sarandës e Ksamilit!

Abuzimi me çmimet e çadrave dhe plazheve po dëmtojnë plot arrogancë bizneset e tjera e nëse hoteleritë në një rast fatlum, bien dakord (gjë që ka pak gjasa, sepse nuk ka shoqata që të mbrojnë interesat e tyre) e këta të vendosin çmime 200 euro për dhome psh, peshqit e linguinet apo rizotot me fruta deti ti hanë vetë pronarët e kamarieret se pushuesit ose do jenë më të pakët ose do gjejnë alternativa më sekrete të ushqyeri!

Madje, edhe vendasit do duhet të jetojnë dhe nëse pushojnë të paguajnë si turistët dhe u rrofshin investimet se edhe ushqimet i blejnë si ata!

Kur me një kartë të posaçme identiteti ata të mos paguanin siç ndodh në ishujt grek ku një frape apo ushqimi janë mjaftueshëm për çadra dhe shezlong, pa pagesë shtesë!

Pas plazhit, Ksamili ofron shëtitje nëpër rruge jo perfekte dhe shpesh me mbeturina, kakofoni muzikore e të gjitha zhanreve nga një klub tek tjetri, që shijohet më shumë nga një promenade ende e pashtruar as edhe me atë shtrese si tek rrugët e Liqenit në Tiranë dhe tezga ambulantësh!

Asnjë mini-amfiteatër për koncerte e shfaqje muzikantësh shqiptar që i fundit shoë u daton me 21 korrikun përvëlues!

Siç është Ksamili dhe turizmi shqiptar momentalisht do rezultojë zhgënjyes përballë ofertave të tjera rajonale, pavarësisht mitit të krijuar si “Maldivet e Evropës”, nga një fushatë sensibilizuese e paprecedentë që mbart në vetvete riskun e dështimit dhe bumerangut!

Si Ksamiljot do doja dhe besoj tek vizioni i Kryetarit të ri të Bashkisë së Sarandës dhe përbetimit kryeministror të surprizuar nga vota e ksamiljotëve në zgjedhjet e fundit lokale se do investojë në atë resort! Por nëse Rama do i besojë videove që bashkëpunëtorët e tij i ofrojnë në 3D apo nga dronet, pa folur dhe kuvenduar me ata që bëjnë biznes turistik në Ksmail, do i shkojë dëm edhe merita e tij personale në promovimin, qoftë edhe të Ksamilit, ku unë dhe Dua Lipa kemi vendosur të investojmë si shqiptar krenar dhe besimplotë se kur shqiptarët orientohen drejt janë super të suksesshëm, që të mos zhgënjejmë polakun Pawel apo ata që lexojnë shtypin perëndimor për Ksamilin!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x