Nga Genci Gjikaj
Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.
Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtese për breza të tërë.
Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.
…………………………………………………………………………………………………………………………..
Radioloja “Liqeni i Vajkalit”
Pjesa e parë
Situata e Brendshme dhe e Jashtme në Shqipërinë e viteve 1943- 1946 dhe si u instalua regjimi komunist.
Përpara se të përshkruhet kronologjikisht rrjedha e ngjarjeve të radiolojrave është shumë i rëndësishëm konteksti historik kur ato zhvillohen. Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u rreshtua përkrah forcave përparimtare botërore kundër fashizmit dhe nazizmit, duke bërë rezistencë të armatosur, e cila u kurorëzua me çlirimin e Shqipërisë në nëntor të vitit 1944. Ndërkohë gjatë Luftës ishin përvijuar dhe më vonë kristalizuar qartë disa rryma politike, kundërshtare të hapura me njëra tjetrën. Përveç Legalitetit me lider Abaz Kupin, që mbështeste mbretin Zog dhe kthimin e tij në Shqipëri, duke ringritur Monarkinë, në vitin 1941 ishte krijuar Partia Komuniste. Fillimisht një forcë politike modeste, me përfaqësues të panjohur por që e rrit ndjeshëm ndikimin e saj në popull sidomos prej pjesëmarrjes aktive me luftë të armatosur kundër pushtuesve dhe një propagande ilegale shumë agresive Një tjetër forcë politike ishte Balli Kombëtar, i cili mblodhi rreth vetes intelektualë të shquar i drejtuar nga Mitat Frashëri. Fakti që Partia Komuniste përmes njësive të armatosura ilegale, çetave partizane, ishte shumë e pranishme në luftën e armatosur kundër fashistëve dhe nazistëve, bëri që ajo të shihej prej aletatëve anglo-amerikanë më me përparësi edhe pse ideologjikisht ishin kundërshtarë. Siç dëshmohet prej gjeneralit Edmond Dejvis në librin “Aventura iliriane” dhe Hibbert në librin “Fitorja e hidhur” njësi të ndryshme speciale të ushtarëkëve anglezë, me mision të përcaktuar qartë për të drejtuar rezistencën kundër gjermanve, ishin parashutuar në zona të ndryshme të rezistencës antifashiste dhe ishin instaluar që në vitin 1943 pranë shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Megjithatë ndihmat e aleatëve shkonin jo vetëm për komunsitët por edhe për Legalitetin dhe Ballin Kombëtar, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në rezistencën e armatosur.
Ndërkohë me afrimin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur tashmë ishte e qartë se nazizmit po i vinte fundi, misionet ushtarake angleze, i përforcuan ndjeshëm lidhjet e tyre me nacionalistët në veri të Shqipërisë, sidomos me Abaz Kupin, me qëllim pengimin e ardhjes në pushtet të komunistëve gjë e cila me gjithë përpjekjet jo të pakta nuk u arrit dot.
Me çlirimin e Shqipërisë në 29 nëntor të vitit 1944, Partia Komuniste nis të instalojë pushtetitn e saj në të gjitha hallkat. Në një kohë relativisht të shkurtër pushteti politik i komunistëve strukturon një shtet të centralizuar fort i cili synon një kontroll total në të gjitha fushat. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij shteti është edhe Shërbimi Sekret, i cili e kishte zanafillën që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, por që tani nis të strukturohet mirëfilli si një njësi shtetërore me detyra të përcaktuara. Në vitet e para të çlirimit ende pushteti komunist nuk e kishte kontrollin e plotë mbi territorin dhe kufijtë. Megjithëse një pjesë e mirë e kundërshtarëve të komunizmit kishin ikur në mërgim, kishte shumë të tjerë që kishin parapëlqyer të qëndronin në Shqipëri, për të organizuar qëndresën me armë ndaj tij dhe më vonë përmbysjen e komunizmit.

Mosmarrëveshjet e shumta mes komunistëve dhe misioneve diplomatike anglo-amerikane, do të pasohen me dëbimin e tyre nga Shqipëria në vitin 1947. Ndërkaq këto misione kishin bërë maksimumin për të ndikuar politikisht në Shqipërinë e atyre viteve, duke mbajtuar kontakte të qëndrueshme jo vetëm me përfaqësues të politikës shqiptare në mërgim, por edhe më kundërshtarët e komunizmit brenda territorit shqiptar. Tashmë kishte nisur Lufta e Ftohtë dhe qëllimi ishte i qartë: shkëputja e Shqipërisë nga blloku lindor meqënëse këtu situata ishte më e favorshme. Shqipëria ishte vendi më i vogël, më i dobët ekonomikisht dhe më i largëti gjeografikisht që i bashkohej bllokut lindor. Kishte një opozitë politike të strukturuar në mërgim, si edhe njësi të armatosuara kundër pushtetit në terren, arsye që motivonin përpjekjet për përmbysjen e komunizmit duke synuar një reaksion zinxhir edhe në vende të tjera.
Roli kryesor për të arritur këtë qëllim afërmendsh që do t’u takonte shërbimeve sekrete të vendeve respektive, sikurse edhe rolin kryesor për ta përballuar këtë sfidë do të luante Shërbimi Sekret Shqiptar, Sigurimi i Shtetit, që tashmë ishte nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Sigurimi i Shtetit ishte strukturuar në dy degë kryesore: Zbulimi Politik me fushë veprimi jashtë vendit dhe Kundërzbulimi me fushë veprimi brenda vendit, me një rrjet informatorësh dhe bashkëpunëtorësh të shtrirë gjerësisht. Në periudhën e radiolojërave të famshme Ministër i Brendshëm ishte Mehmet Shehu ndërsa Zv. Ministër, përgjegjës drejtpërdrejtë për Sigurimin e Shtetit Kadri Hazbiu.
Intervali kohor 1944-1953, është më intensiv i veprimtarisë për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri, që përfshin një alternim përpjekjesh nga jashtë dhe nga brenda Shqipërisë, pjesë e të cilave janë dërgimet e grupeve të armatosura (bandave) me qëllim organizimin e revoltës së armatosur.

Një pjesë e kundërshtarëve të pushtetit komunist u larguan së bashkë me ushtrinë gjermane në nëntor të vitit 1944, ndërsa një pjesë tjetër edhe kjo e shumtë në numër u largua në vitet e para pas çlirimit, si rezultat i goditjeve nga forcat e mbrojtjes popullore. Ata fillimisht u vendosën në Itali dhe më vonë në kontrollin e ushtrivë aleate anglo-amerikane që kontrollonin gadishullin italik u shpërndanë edhe në vende të tjera si në Greqi, Egjipt dhe më pas në Gjermaninë Perëndimore. Mes të ikurve kishte anëtarë të qeverive në periudhën e pushtimit italian e gjerman, krerë të organizatave politike të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, tregtarë, bejlerë, funksionarë të adminstratës në kohën e pushtimit, por edhe shumë njerëz nga shtresa e thjeshtë që u larguan nga frika e persekucionit për të kaluarën e tyre. Pjesa më e madhe e tyre u sistemuan në kampe në ndryshme, ku ishin edhe shumë të arratisur nga vendet e tjera të Europës Lindore me kombësi bullgare, rumune, çeke, polake etj.
Ndërkohë në këto kampe emigracioni politik shqiptar nis të grupohet dhe të organizohet sipas preferencave politike, duke synuar gjithmonë përmbysjen e pushtetit politik në Shqipëri, sfidë që s’mund të arrihej pa një mbështetje të fortë të fuqive kundërshtare të komunizmit. Kështu në vitin 1948 ringrihet Balli Kombëtar, një nga organizatat kryesore politke të shqiptarëve në mërgim në drejtimin e Mitat Frashërit, Hasan Dostit, Vasil Andonit etj. Një tjetër organizatë me përfaqësues të kësaj force si Abaz Ermenji, Muharrem Bajrajtari, Hamit Matjani etj krijohet në Greqi. Partia e Legalietit, nëpërmjet Mbretit Zog, i cili në këtë kohë qëndronte në Egjipt, rimëkëmbet në Kajro nën kryesinë e Abaz Kupit, Zenel Shehut etj. Në Itali formohet blloku Indipendent nën kryesimin e Islamil Vërlacit, Ernest Koliqit, Kolë Bibë Mirakaj etj.
Megjithëse ishte e fragmentarizuar në këto grupime politike, qëllimi i përbashkët i të gjithë kundërshtarëve të pushtetit komunist, që ishin jashtë Shqipërisë, ishte përmbysja e tij, duke bashkëpunuar dhe duke u ndihmuar nga shërbimet e fshehta. Pikërisht ky qëllim i përbashkët ishte arsyeja pse këto organizata nisën të bënin përpjekje për bashkimin e tyre, i cili pjesërisht u realizua edhe nën drejtimin e funksionarëve të huaj. Në gusht të vitit 1949 në Paris në emër të të gjithë përfaqësuesve të grupeve të të arratisurve shqiptarë u shpall Komiteti Shqipëria e Lirë, një formacion politik që i përfaqësonte të gjitha grupimet, i cili zotohej të përmbyste pushtetin komunist në Shqipëri dhe të ngrinte një strukturë qeverisëse pro perëndimore. Formimi i këtij Komiteti lehtësonte koordinimin mes shërbimeve sekrete, emigracionit politik shqiptar dhe kundërshtarëve të komunizmit brenda Shqipërisë.
VIJON…