Vijon zbatimi i planit operacional policor të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.
Gjatë kësaj faze, policia çmontoi në qytetin e Korçës dhe Pogradecit 39 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private janë vënë 9 shtetas, nga këta 7 shtetas në Korçë dhe 2 shtetas në Pogradec, të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.
Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet e ditur se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, konkretisht në disa lagje të qyteteve Korçë e Pogradec, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.