Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka mbyllur ditën e sotme, dedikuar tërësisht arsimit në Ditën ndërkombëtare, me një vlerësim për nxënësit e shkëlqyer të qytetit, të cilët prej disa ditësh janë promovuar prej kryebashkiakut edhe në rrjetet sociale. Në takimin me ekselentët e gjimnazeve të kryeqytetit, Veliaj vuri në dukje se përmes promovimit të tyre vetë shoqëria ndihmon në evidentimin e vlerave të vërteta të brezit të ri.
“Unë zgjodha që mënyra më e mirë për të festuar ditën s arsimit dhe mënyra më e mirë për t’i tërhequr vëmendjen shoqërisë sonë është duke treguar modelet, fotografitë, shembujt, notat tuaja dhe për ta shkundur pak qytetin tonë, duke promovuar ata që janë realisht VIP-at e Tiranës, çunat dhe gocat që punojnë fort, që janë me dhjeta. Dua që të gjithë të bëjmë një fushatë se çfarë quhet vlerë dhe meritë në shoqërinë tonë. Nëse secili prej nesh e bën këtë betejë, unë jam i bindur se do e fitojmë këtë betejë të qytetit tonë, të kombit tonë dhe shoqërisë ku jetojnë për vlera, meritë dhe punë,” u shpreh Veliaj.