11.5 C
Tirana
06 / 11 / 2025

Republika e parë: Reçaku, Masakra që gjunjëzoi Serbinë

Mero Baze, Pjesë nga libri “Republika e parë”

Më 15 janar të vitit 1999, Reçaku u zgjua i terrorizuar nga të shtëna armësh të ushtrisë serbe që kishte rrethuar fshatin. Dhjetëra banorë braktisën shtëpitë, ose u munduan të fshihen në bodrume dhe në vende më të sigurta.

Pas disa orësh, forcat ushtarake hynë në fshat. Në një prej shtëpive ku ishin grumbulluar shumë burra, gra dhe fëmijë, pasi torturuan për disa orë burrat e grumbulluar në oborr, i nisën në këmbë drejt një lugine ku i prisnin forcat ushtarake serbe që i ekzekutuan. Shkak ishte bërë inskenimi i një vrasjeje të rinjsh serbë në një kafe në Pejë që më vonë doli se ishte bërë nga vetë serbët.

Evliana Berani, në atë kohë zyrtare për informimin në Misionin Verifikues të Kosovës, e përshkruan dramën e saj si qytetare e Kosovës dhe si zyrtare e shtypit e William Walker që drejtonte Misionin Verifikues në Kosovë.

”U nisëm në qetësi pas vargut të makinave të KVM. Bill Neely arriti t’i bashkëngjitet kolonës. Më njoftoi se do të ketë paraqitje ‘live’. Diku një orë më vonë, në ITV po shikoja ecjen e Walker me ekipin pranë kufomave në Reçak. Ndërsa kamera i ofrohej fytyrës së tij, e ndëgjova zërin e Neely:

– Zoti ambasador, çka është kjo që po shohim?

Pasoi një pushim disasekondësh dhe William Walker u përgjigj:

– Është një krim kundër njerëzimit”.[1] 000000

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, James Rubin tha:

“Autoritetet e larta ushtarake në Beograd dhe komandantët lokalë, janë përgjegjës direkt për këtë masakër mbi burra, gra dhe fëmijë”.[2] 000000

Disa javë më vonë, shtypi publikoi tabulatet e thirrjeve telefonike të komandantëve lokalë që drejtuan masakrën dhe Nikola Šainović, i dërguari i Milošević për Kosovën, ishte në qendër të masakrës.

Përgjegjës për “Masakrën e Reçakut” ishin zyrtarë të lartë të ushtrisë jugosllave si Nikola Šainović, komandanti i Korpusit të Prishtinës, Nebojša Pavković, shefi i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazarević, Sreten Lukić, shef i Shtabit të MPB për Kosovën, si dhe komandantë lokalë policie, të cilët inkurajuan spastrimin e atyre që i quanin “celula terroriste të UÇK”.

Të masakruarit nga ushtria dhe policia serbe mbetën të pavarrosur dhe të paprekur në luginën e fshatit, deri në mëngjesin e 16 janarit, kur aty shkoi William Walker.

Trupat e masakruar të grave, fëmijëve dhe të burrave të Reçakut u mblodhën në xhaminë e fshatit, pasi Misioni Verifikues i OSBE u largua, por policia serbe nuk lejoi varrimin e tyre me arsyetimin e ekspertizës mjekoligjore, ndërkohë që përhapën versionin e parë se ajo që kishte ndodhur ishte masakër e kryer nga UÇK, për të implikuar forcat serbe.[3] 0000000

Pamja trishtuese e William Walker, shefit të Misionit të OSBE në Kosovë para viktimave, ishte një kushtrim i besueshëm. I tronditur dhe njëkohësisht njerëzor, ai i bëri të gjithë të bindeshin se krimi kishte ndodhur dhe durimi ndaj Beogradit duhej të merrte fund.

Ai, jo vetëm që akuzoi forcat serbe të sigurisë për atë që e quajti “krim kundër njerëzimit”, por gjithashtu kërkoi emrat e kujtdo që ishte përfshirë në operacionin kriminal në Reçak.

Denoncuesi simbol i kësaj masakre u bë dëshmitari i madh.

Pamja e tij e tronditur me një dorë para gojës, sikur donte të frenonte britmën e gjëmës që kishte ndodhur, në fakt, për pak i dha fund dhe misionit të tij në Kosovë. Ai u shpall person i padëshirueshëm nga Beogradi dhe duhej të largohej nga Kosova. Misioni i tij real ishte monitorimi i situatës në terren, për të lehtësuar ndërhyrjen ushtarake më pas.

Më 17 janar në mëngjes, James Rubin u tha gazetarëve në Washington se emrat e atyre që morën pjesë në vrasje dhe të atyre që urdhëruan, duhet të zbardhen dhe të përballen me drejtësinë. Ai tha:

“NATO duhet t’i gjejë ata dhe t’i dorëzojë para Gjykatës së Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Rikthimi i ushtrisë serbe në terren për të vrarë burra, gra dhe fëmijë, është një ferr për të cilin duhet të përgjigjen”.

Përpjekja e autoriteteve serbe për gjoja “investigim” të masakrës, u konsiderua e palejueshme dhe vetëm një trupë ndërkombëtare hetimi e paanshme mund ta hetonte ngjarjen.

Më 18 janar, Milošević urdhëroi largimin e William Walker nga Kosova si person i padëshirueshëm dhe refuzoi kërkesën e Prokurores së Kombeve të Bashkuara, Louise Arbour, për të shkuar në Reçak të dokumentonte provat e masakrës.

Tri ditë më pas, Milošević e ngriu urdhrin për të zbuar William Walker dhe e lejoi të qëndrojë në Kosovë. Furtuna që ngriti “Masakra e Reçakut”, kishte mbërritur në zyrat e tij në Beograd dhe e kishte marrë më seriozisht.

Më 19 janar 1999, pas masakrës, u zhvillua takimi i tretë midis gjeneralit Wesley Clark, gjeneralit Klaus Naumann, kryetar i komitetit ushtarak të NATO dhe Milošević. Në takim ishte dhe Milutinović dhe Šainović.

Gjeneralët e NATO paralajmëruan Milošević që të ndalte masakra të tilla dhe të bindej të zbatonte dispozitat e Marrëveshjeve të Tetorit. Ai po ashtu duhej që të lejonte Prokuroren e Gjykatës, Louise Arbour, të vinte në Kosovë dhe të hetonte për incidentin. Pastaj i dhanë një listë me pesë deri në dhjetë incidente të konstatuara nga KVM, ku ishte përdorur forcë e tepruar.

Albright thotë se i porositëm gjeneralët të paralajmëronin Milošević, “të mos ndërmerrte shkelje të tjera të këtij lloji, të kërkonin që Gjykata për Krimet e Luftës të lejohej të hetonte ngjarjet e Reçakut dhe t’i kujtonin atij se kërcënimi i NATO për përdorimin e forcës, vazhdonte të mbetej ende në fuqi”.[4] 00000

Në përgjigjen e tij, Milošević mohoi akuzat për Reçakun dhe akuzoi bashkësinë ndërkombëtare dhe Walker, se ishin “të njëanshëm”. Milošević u tha atyre se njerëzit që ishin vrarë në Reçak kishin qenë terroristë dhe se në këtë rast Gjykata për Krimet e Luftës nuk kishte juridiksion. Kur Clark përmendi mundësinë e goditjeve ajrore të NATO, Milošević e quajti “kriminel lufte”.[5] 000000

Më tej, ai bëri kundërpropozime për ardhjen e Louise Arbour në Kosovë, por kur Clark e kontaktoi, ajo gjykoi se propozimet ishin të papranueshme, sepse nuk lejohej të hetonte pa kufizime.

Reagimi i politikës në Kosovë ishte një klithmë mes dëshpërimit për atë që kishte ndodhur dhe frikës nga ajo që mund të vinte pas. UÇK dhe Ibrahim Rugova ishin tani dy dëshmitarë të masakrës, edhe pse njëra palë ishte përpjekur t’i shmangte me paqe, pala tjetër me rezistencë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, në një koment personal mbi masakrën, tha se “shqiptarëve u ka mbetur të vetëmbrohen, me ose pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”.[6] 00000

Deklarata ishte e mbushur me kritika për mosveprimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe mungesën e guximit për të njohur pavarësinë e Kosovës, si një akt që do të ndalte dhunën në Ballkan. Kjo masakër praktikisht zhvlerësoi anët formale të “Marrëveshjes Holbrooke-Milošević”, përveç pikës së saj të fortë, urdhrit për ndërhyrje.

SHBA ishte përpjekur ta shtonte duke e fuqizuar me një forcë mbrojtëse për vëzhguesit e OSBE. Dukej se gjithçka po shkonte drejt zjarrit të luftës. Nuk dihet nëse amerikanët ishin të sigurtë se Milošević do ta pranonte këtë forcë shtesë mbrojtjeje, por ishte e sigurt se amerikanët nuk do të mjaftoheshin me kaq, edhe nëse Beogradi e pranonte.

Masakra e Reçakut ishte për Perëndimin, një arsyetim për një revansh të ri diplomatik që në të vërtetë përshkoi të gjithë thelbin e luftës që u bë në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Vetëm disa ditë pas masakrës, Albright kishte gati një projekt paqeje që mbështetej në kërcënimin e bombardimeve nga ana e NATO, në rast se Milošević nuk do ta pranonte.

Albright tha se Perëndimi duhet të jetë gati për të përdorur forcën kundër Milošević, nëse ai nuk bindet me mjete diplomatike për të përmbushur marrëveshjen që bëri me Holbrooke.

“Është thelbësore që ne të jemi bindës në trajtimin e Milošević. Kjo kërkon që të jemi të përgatitur, nëse është e nevojshme, për të përdorur forcën, sepse forca është gjuha e vetme që duket se ai kupton”.[7] 00000

Masakra e Reçakut bashkoi Perëndimin kundër Serbisë
 

Reagimet që pasuan “Masakrën e Reçakut” ishin zhvillimi më pozitiv në historinë e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Masakra tejkaloi të drejtën e Serbisë për të qenë e besueshme te Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë. Milošević përpiqej të manipulonte provat, të ndalte hetuesit ndërkombëtarë, të shmangte hetimin e çështjes nga Gjykata e Hagës.

Kjo bindi pjesëtarët e Grupit të Kontaktit të vepronin me ashpërsi dhe të ndryshonin standardin e sjelljes ndaj Beogradit.

SHBA po ndërtonte strategjinë e saj; zgjidhje politike nën kërcënimin e bombardimeve. Për herë të parë, i kërkohej Beogradit ta pranonte NATO në Kosovë dhe të tërhiqte prej andej ushtrinë jugosllave. Washingtoni ishte në këtë mes një hap para Pentagonit, ku gjeneralët hijerëndë e shikonin me dyshim aftësinë e politikanëve për të gjetur një zgjidhje politike, në emër të së cilës ata të sulmonin ushtarakisht.

Albright udhëtoi drejt Moskës me shpresën që të zbuste Igor Ivanov, ministrin e Jashtëm Rus. Ajo ia paraqiti problemin e Kosovës si një rreth vicioz, ku shqiptarët nuk do lëshojnë armët nga dora pa hyrë NATO dhe Milošević nuk do të lejojë NATO, pa zhdukur shqiptarët.

Pastaj i shpjegoi strategjinë e SHBA, nëpërmjet kërcënimeve për bomba, në shkëmbim të një marrëveshjeje politike. Marrrëveshja ishte e vetmja gjë që Ivanov pranoi.

“Rusia nuk do t’i pranojë bombardimet ajrore kundër serbëve. Një gjë e tillë do të ishte krejtësisht e papranueshme. NATO nuk ka asnjë të drejtë të sulmojë një shtet sovran. Megjithatë… ne pajtohemi me dëshirën tuaj për një zgjidhje politike dhe ndoshta kërcënimi për përdorimin e forcës është i nevojshëm për ta arritur një gjë të tillë. Personalisht, nuk shoh ndonjë arsye që të mos përpiqemi të punojmë bashkërisht”.[8] 0000000

Opinioni publik filloi të përpunohej në këtë drejtim. Emrat më të njohur të politikës ndërkombëtare për Ballkanin në Washington, analistë dhe ish-zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si Morton Abramowitz, Zbigniew Brzezinski, Frank Carlucci, Jeane Kirkpatrick, Helmut Sonnenfeldt, William Taft dhe Paul Wolfowitz, më 26 janar dolën me një deklaratë të përbashkët ku thuhej qartë se Slobodan Milošević ka shkelur një marrëveshje me NATO dhe ka kryer krime të rënda në Kosovë, duke i bërë sfidë kredibilitetit të NATO, udhëheqjes amerikane të kësaj Aleance dhe legjitimitetit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës.

Thelbi i propozimeve të tyre ishte tërheqja e vëzhguesve nga Kosova, bombardimi paraprak i forcave ushtarake dhe policore serbe, futja e trupave tokësore dhe më tej, detyrimi i Beogradit për të nënshkruar një marrëveshje.

Mbledhja e Grupit të Kontaktit u vendos të bëhej në Londër, më 29 janar, nën emocionet dhe presionin që krijonte masakra dhe do të niste kështu fushatën për tërheqjen e rusëve dhe të evropianëve në planin e paqes për Kosovën.

Grupi i Kontaktit për ish-Jugosllavinë që u mblodh më 29 janar në Londër, fiksoi datën 6 shkurt, si ditën e Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, në Rambuje. Në të vërtetë, ajo ishte e vetmja mbledhje e Grupit të Kontaktit që i dha drejtim krizës me thirrjen e Konferencës së Rambujesë.



[1] Evliana Berani. Intervistë me autorin e librit (M.B.).
[2] Unclassified U.S. Department of State Case No. F-2011-01319 Doc No. C17693085.
[3] Lista e shqiptarëve të masakruar në Reçak, më 15 janar 1999. Të vrarët ishin plot dyzetë e pesë vetë.

Lute Asllani, Banush Kamberi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysenaj, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salif Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshah Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani, Ahmet Smajlaj, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri.

[4] Madeleine Albright. “Zonja Sekretare”. Faqe 234.
[5] Medeleine Albright. “Zonja Sekretare”. Faqe. 235.
[6] Deklaratë e Kryeministrit Bujar Bukoshi nga Gjermania, pas masakrës së Reçakut.
[7] Paul Watson. 22 janar 1999. “Los Angeles Times”.
[8] Medeleine Albright. “Zonja Sekretare”. Faqe 236.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x