11.5 C
Tirana
17 / 05 / 2026

32-vjetori i PD në Durrës, Berisha: Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut

Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar, por revolucioni demokratik u zhvillua pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kështu iu drejtua kreu i PD-së Sali Berisha demokratëve në ceremoninë e 32 vjetorit të themelimit të PD në Durrës, teksa vlerësoi rolin e ambasadori hungarez në Tiranë, i vetmi sipas tij që mbështeti kryengritjen e shqiptarëve.

“Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar. Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte. Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje. Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD”, tha Berisha.

Sipas tij revolucioni nuk u ndal edhe  pse u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetjeje ndërkombëtare.

“Ky revolucioni ishte i fundit në revolucionet e vendeve komuniste, por përsëri u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetje ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 1990, ambasadat ishin të mbyllura se po meremetoheshin. Ishte vetëm një ambasador, ai i Hungarisë. Ne kishim vetëm idealet tona demokratike, vuajtjet e tmerrshme të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Por këto nuk penguan që të ngriheshim fuqishëm ndaj një regjimi që ishte i dobësuar, por përsëri siç mund ta dini shumë prej jush, vriste pa mëshirë, të rinjtë në kufijtë e Shqipërisë. Jo vetëm i vriste, por u kthye në praktikat e viteve ’50, ku zvarriste kufomat e viktimave për të ushtruar terror te qytetarët. Për të dëshmuar fytyrën e vërtetë. Por revolucioni ynë nuk ndalet. Me një vendosmëri absolute, demokratët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, vazhduan betejën e tyre, derisa përzunë me votën e lirë, diktaturën më staliniste të Europës”.

Por sot, theksoi Berisha, jemi në një monizëm më të fuqishëm se ai i vitit ‘91, që ushtron të gjitha llojet e dhunës, përfshirë edhe atë teknologjike.

“Po sot, ku jemi? Sot Durrësi dhe Shqipëria janë 32 vite larg nga ajo periudhë, por përsëri jemi në një monizëm absolutisht më të fuqishëm se i vitit 1991. Sot jemi në një monizëm, i cili ushtron mbi qytetarët shqiptarë të gjitha llojet e dhunës, përfshi edhe dhunën e teknologjive më moderne. Sot jemi në një monist që vret çdo ditë shpresën e të rinjve. Sot shqiptarët janë njerëzit më shpresë-vrarë, se e drejta nuk ekziston për ta, se ligji nuk ekziston, se pasuritë publike janë një mallkim, se fondet dhe taksat e tyre vidhen e vidhen. Se trajtohen në mënyrën më depersonalizuese”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x