Shqipëria nuk do të ketë asnjë kufizim për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina. Edhe pse situata e përhapjes së Covid-19 atje është alarmante, vendi ynë nuk parashikon asnjë masë për vizitorët kinezë. Ekspertët e Shëndetësisë thonë se nuk ka vend për panik.
Por në një kohë që situata e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri është në periudhën e saj më të qetë, që prej nisjes së pandemisë, me një mesatare prej 15 rastesh të reja në ditë, Kina ka masa drastike deri në karantimin për udhëtarët që hyjnë në shtetin e saj.
Vendimi i Kinës për të hapur kufijtë pas 3 vitesh izolim ka rritur frikën e përhapjes se infektimeve në botë. Për pasojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Japonia po marrin në konsideratë vendosjen e kufizimeve të reja për udhëtarët kinezë. Prej disa ditësh zyrtarët kinezë kanë ndërprerë edhe publikimin e shifrave të infektimeve dhe vdekjeve në një kohë kur spitalet dhe agjencitë funerale referojnë se janë të mbingarkuar.