Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, i cili është kandidati i opozitës në Bashkinë e Elbasanit deklaron se ka ardhur koha që drejtimi i pushtetit lokal të ndryshojë.
Ai thotë se shqiptarët presin që PD të fitojë të gjitha bashkitë në vend.
“Në çdo betejë hyhet për të fituar, në të gjitha bashkitë PD hyn për të fituar. Prognoza me numra apo me territore nuk janë në fjalorin e duhur politik dhe nuk lidhem me pritshmëritë e qytetarëve. Qytetarët sot presin që ne të fitojmë drejtimin e të gjitha bashkive, pasi të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës, të gjithë janë të revoltuar, të gjithë duan që të ndryshojë drejtimi lokal dhe më pas edhe drejtimi politik i vendit”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Për të shkuar drejt fitores në zgjedhje, Boçi thekson se bashkimi i PD është elementi kryesor dhe sipas tij ka ende kohë, edhe pse Enkelejd Alibeaj ka prezantuar tashmë disa kandidatë.
“Asnjëherë nuk heqim dorë, pavarësisht keqkuptimeve, opinioneve të ndryshme që vazhdojnë të ekzistojnë, ne jemi partia demokratike e hapur e mendojmë mendimin ndryshe. Por synimi për të bashkuar PD mbetet synimi ynë themelor”, theksoi Luçiano Boçi.
Përtej bashkimit politik, Partia Demokratike ende nuk ka zgjidhur çështjen e logos dhe vulës së PD. Por, sipas Boçit, është lideri i maxhorancës, Edi Rama, i cili synon të dëmtojë opozitën duke mbajtur peng vendimin e gjykatave.
“Sigurisht që është strategji, e zgjedhur nga personi që sot trysnin dhe kërkon të komandojë drejtësinë. E komandon një pjesë të madhe, kërkon të imponohet në betejën për të shkatërruar këtë pjesën e organizimit të brendshëm të PD apo fuzionin e saj midis mendimeve ndryshe dhe ne do të mundohemi ta kapërcejmë”, deklaroi Boçi.