8.5 C
Tirana
06 / 11 / 2025

Turisti

Rruga e Durrësit, para vitit 1990, tregojnë brezi i kohës. Ushqimorja apo Gastronomi, kështu është njohur gjatë gjithë kohës që ka funksionuar. Një ndërtesë njëkatëshe multi-funksionale në të majtë kur fillonte rruga, në formë trekëndëshi. Ajo nuk ishte vetëm ushqimore por edhe bulmetore, tregtohej mish, shitej bukë, gjithçka gjeje aty. Ndërsa Parfumeria, ka qenë përballë Gastronomit. Me shumë emër e famë për kohën ngjitur me tunelin e parë, madje ka shërbyer edhe si pikë referimi: Te ‘Parfumeria’ takohemi. Shumë e frekuentuar, ku kryeqytetasit blinin ‘Kolonjë’ siç quhej me shishe apo edhe të hapur.

Kjo Parfumeri për atë rrugë ka qenë simbol.

Një pastiçeri e madhe që vinte pas Parfumerisë, për të vijuar me Gjellëtoren dhe Agjensinë Ajrore hungareze ‘Malev’. Shumë afër tunelit të dytë, kjo agjensi udhëtimi si e vetmja që i lidhte Shqiptarët me botën, madje kush futej aty kuptohej se do të merrte një biletë avioni dhe do të dilte jashtë shtetit. Pra, po hynte një Turist.

Sot, në fundin e vitit 2022, Tirana ka me qindra vendndodhje të vogla të cilat mund të kthehen në simbole të jetës së përditshme, por kjo vështirë se ndodh, jo se kryeqytetasit nuk e duan Tiranën, porse thjesht vëmendja e kohës është krejt tjetër. Për hir të së vërtetës, Tirana pas 32 vitesh tranzicion, ka marrë formën e një metropoli multi-kulturor, multi-etnik, e shumë multi të tjerë. Emigrimi, migrimi, shtimi i dendësisë së banorëve, lufta ekonomike e tregut, shtimi i makinave, lajmeve, thashethemeve, shpifjeve, llojeve të dashurive dhe tradhëtive, thjesht nuk lënë vend më për jetën në trotuare, pasi askush nuk ka më kohë, të gjithë janë të ndryshëm, të pakujdesshëm për historitë me Ushqimore e Gastronomi dhe të gjithë duhet të mbijetojnë. Shumë syresh do të argumentonin se ky është një tregues zhvillimi, emancipimi, që do të thotë se edhe ne po marrim fytyrën e metropoleve të botës perëndimore. Dhe sigurisht, këto argumente qendrojnë në qasjen e tyre, mjafton të ndjekësh busullën e metropoleve më të zhurmshme të botës perëndimore, të cilat po braktisen edhe më shumë dita ditës nga vendasit e lindur e rritur aty. Shumë syresh të tjerë mund të nervozohen me këto ndryshime, e megjithatë nuk mund të negociohet me gravitetin e kohës.

Dukshëm, jeta publike e kryeqyetit, ajo e jashtë godinave dhe shtëpive, ajo e rrugës dhe e ekranit, është prej vitesh tashmë por dhe çdo ditë edhe më e rrjedhshme, pa ngjyra, por e rrjedhshme, e konsumueshme, fast-food. Me siguri, ato çka marrin ngjyrë janë dimensionet private të jetës shoqërore homogjene që zhvillohet pa u parë, dhe këtu mbështetësit e tezës së zhvillimit, këtij graviteti të panegociueshëm kohor, marrin të drejtë. Prej kohësh edhe vendasit e lindur e rritur në kryeqytet, ato që kanë mbetur tek-tuk, kanë aktivizuar një sistem vetëmbrojtje nga kjo rrjedhë e furishme me shumë ‘multi’, pasi është i paqartë një qëndrim i saktë tashmë, por kjo pak rëndësi ka. Zgjidhja e vërtetë është rrjedhimisht: a duhet të vazhdojmë të kujdesemi për të lënit pas, apo duhet të rrokim detyrën shumë më të vështirë të sistemit global i cili gjeneron ata të lënë pas? Pa një ndryshim të këtillë, situata e shumë njerëzve do të jetë gjithnjë e më drejtpërsëdrejti e paarsyeshme. Ky është fakti që kryeqytetasit mendoj unë – në një Shqipëri ku nuk ka luftë, por që një masë e pabesueshme e popullatës, sidoqoftë, do të emigrojë – duhet të marrin në konsideratë.

Ky nuk është një debat midis konservatorësh dhe progresistësh, është thjesht aty, natyrë njerëzore e prirur për forma të ndryshme organizimi social në kohë të ndryshme. Por një e vërtetë e ka zanafillën në këtë analizë e cila mban një vulë reflektimi.

Në Agjensinë Ajrore ‘Malev’, nëse do të ekzistonte ende sot figurativisht në kohë, kush hyn do të kuptohet se do të marrë një biletë avioni dhe do të largohet jashtë shtetit.

Pra, po hyn një kryeqytetas, turist në kryeqytet.

Artikujt më të kërkuar

2
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x