Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.
Sipas dokumenteve të miratuara në mbledhjen vjetore të Komitetit të mbledhur në Strazburg në takimin vjetor nga 28 nëntori deri në 2dhjetor “ kërkesa për pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës vjen për shkak të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Komiteti i Konventës së Bernës e ka mbështetur kërkesën për autoritetet shqiptare “mbi një vlerësim paraprak të ekspertit, duke e trajtuar çështjen me urgjencë pas ankimimit të organizatës mjedisore shqiptare “Eco Albania” se ndërtimi i aeroportit po përparon me shpejtësi”.
“Komiteti, thuhet në dokumentet e takimit, të cilat Zëri i Amerikës i ka parë, vuri në dukje një prezantim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, e cila kujtoi se atyre nuk u është caktuar koha e mjaftueshme për të konsultuar draft raportin dhe rekomandimet dhe se ata besojnë se situata e aeroportit të Vlorës nuk duhet marrë në konsideratë, sipas kësaj dosjeje”.
Përfaqësuesi i organizatës mjedisore shqiptare PPNEA, Xhemal Xheri, i pranishëm në diskutimet e palëve gjatë takimit të Strazburgut i tha Zërit të Amerikës se përfaqësuesit e Ministrisë shqiptare synojnë për të përfituar kohë që ndërtimi aeroporit të përfundojë”.
Dokumentet finale pritet të paraqiten pranë Komitetit të Konventës fillimin e vitit të ardhshëm ku priten edhe rekomandimet e detajuara për autoritetet shqiptare/VOA