15.5 C
Tirana
24 / 06 / 2025

Kol Idromeno i zhveshur nga legjendat

Nga Eleni LAPERI, studiuese 

Kohë më parë vendosa të shkruaj një monografi për një grup artistësh shqiptarë të viteve 1860-1945.
Po sa më shumë zgjatej lista e kërkimit të dokumenteve, të veprave të shkruara nga autorë shqiptarë, të librave teorikë të autorëve të huaj, aq më shumë bindesha se duhej filluar me radhë, duke e nisur punën nga jeta dhe veprimtaria e artistit të parë të rëndësishëm të atij grupi piktorësh e skulptorësh shqiptarë, nga Kolë Idromeno. Sepse gjithnjë e më shumë zbuloja fakte mbi vlera të veprimtarisë së Idromenos, që fshiheshin në veprat e tij, vlera që ishte e vështirë të dalloheshin, sepse mbulohesin nga gojëdhëna apo pasaktësi.
Që këto vlera të dilnin në dritë u desh ndihma e teknologjisë dhe një laborator i specializuar, si ai i muzeut Orsey në Paris, që portreti i “Motrës Tone” të zhvishej nga misteri dhe keqkuptimet. Ajo mbetet vepra e parë madhore e artit realist shqiptar.

Motra Tone

U desh të mësoja fakte nga historia e besimeve, fakte nga historia e perandorisë Osmane dhe Shkodra e asaj kohe, për të zbuluar sarkazmën dhe ironinë gazmore të Idromenos, që ndërtojnë tablonë “Dy rrugët”, e para tablo e artit pamor shqiptar me përmasa të mëdha, në të cilën shpaloset ideja e artit si kënaqësi dhe jo si predikim.
Në tablo Idromeno, ashtu si Dante, zbret në Ferr bashkë me miqt e tij muzikantë, për të vijuar edhe në shoqërinë e djajve ahengun e filluar në Shkodër. Kurse figura e Edith Durham, e mikes së shqiptarëve, është pikturuar në pragun e portës së Ferrit, duke pritur radhën të hyjë edhe ajo. Ajo portë jo rastësisht i përngjan Portës së Lartë në Stamboll. Idromeno na thotë se ferri i shqiptarëve ishte perandoria osmane.

Dy rrugët

Gjithashtu, m’u desh vizita virtuale në muzetë e Evropës, e përsëri kërkime në librat e shenjtë, që të kuptoja enigmën e grupit skulpturor “Shën Mhilli”, që të pret në hyrje të katedrales së Shën Shtjefnit.
M’u desh të lexoj edhe librin e një konsulli, të francezit Aleksandër Dëgran për të kuptuar përse figurat e tablosë “Dasma shkodrane” janë aq statike, ndërsa vështrimet lëvizin plot emocion.

Dasma Shkodrane

M’u desh ndihma e arkivit të kishës së Madonës në Xhenacano të Italisë, për të zbërthyer legjendën e Ikjes së Zojës së Shkodrës, ashtu si m’u desh të lexoj librat e Luçia Nadin për t’u bindur se legjenda nxjerr në pah edhe qytetarinë e banorëve të Shkodrës.
Dhe së fundmi, restaurimi i disa prej veprave të tij nga specialistët e galerisë së arteve në Tiranë më ndihmoi të zbuloj detaje si në autoportretin e tij, ashtu edhe në tablotë e tjera, që të ndihmojnë të pasurosh e të saktësosh dijet për krijimtarinë e tij, duke nisur nga portreti i parë realist në artin shqiptar, portreti i Matia Kodhelit, i vitit 1891, i cili mban firmën e Kolë Idromenos.

Kolë Idromeno

Duhej një kohë e gjatë, duheshin gjithë këto hulumtime, po edhe pak fantazi për të rijetuar kohën kur Idromeno punoi dhe krijoi, për të arritur të kuptoja vlerën që ka në krijimtarinë e tij lidhja e pikturës me fotografinë. Duhej hequr “dënimi” që shumë autorë i kishin bërë fotografisë në këtë proces, që të kuptohej ajo çka Idromeno kishte arritur, duke i përdorur të gërshetuara të dy këto gjini të artit, ajo çka ai solli në kulturën shqiptare me këto dy gjini.
Zhbërja e këtij “dënimi”, i cili rrinte pezull mbi fotografinë ndihmoi që më në fund të bëhej e mundur që figura e Kolë Idromenos të zhvishej nga legjendat e gojëdhanat, pra që të mund të zbulonim vlerat e vërteta të veprës së tij. 
Një jetë, një aktivitet si fotograf, si piktor e skulptor, si arkitekt, inxhinier, skenograf, kostumograf, si aktivist e muzikant, e krahasuar me më të mëdhenjtë e artit evropian do ishte mjaft modest. Po për ne ai është artisti i parë i rëndësishëm, i cili na ka lënë, ndër të tjera, veprën e parë madhore të artit tonë, portretin “Motra Tone”, një kryevepër, e cila, sipas studiuesit Gëzim Qendro, ende nuk është sfiduar seriozisht nga ndonjë tjetër në artin tonë.
Kolë Idromeno, banori i Shkodrës sonë, na la trashëgim krijime, që faktojnë katër dashuritë e tij të mëdha: dashurinë për familjen, dashurinë për qytetin e tij Shkodrën, dashurinë për kombin dhe dashurinë për artin.
Do doja të shtjelloja me hollësi cilat janë vlerat e këtyre katër dashurive për kulturën e kombit tonë, përse Shkodra u bë djepi i fotografisë dhe artit realist shqiptar, përse ishte Idromeno i pari artist realist etj., po do duhej një kohë e gjatë. Më thjesht do ishte që këto ide dhe fakte t’i gjeni duke e lexuar librin “Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”, botuar nga Shtëpia Botuese Mediaprint. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x