13.7 C
Tirana
25 / 11 / 2026

11.5 milionë turistë në 10 muaj / INSTAT: Tetori frenon turizmin. Bien me 12.5% hyrjet e të huajve në vend

Lëvizjet kufitare dhe turizmi në vend kanë pësuar një frenim të ndjeshëm gjatë muajit tetor.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë në total mbi 1 milion e 457 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj, shifër kjo 7.6 % më e ulët krahasuar me tetorin e vitit 2025.

Goditjen kryesore në këtë bilanc e ka dhënë rënia e ndjeshme e vizitorëve të huaj.

Gjatë tetorit, vendin tonë e kanë vizituar rreth 796 mijë vizitorë të huaj, çka përfaqëson një tkurrje prej 12.5 % në raport me një vit më parë që ishin rreth 909 mijë.

Edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë kanë shënuar një rënie të lehtë prej 0.9 %, duke zbritur në 662 mijë lëvizje.

Por pavarësisht kthesës rënëse të tetorit, bilanci akumulativ i 10-mujorit mbetet ende pozitiv.

Nga janari në tetor të këtij viti, në Shqipëri kanë hyrë 11 milionë e 525 mijë shtetas të huaj, kundrejt 11.1 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke ruajtur kështu një rritje prej 3.5 %.

Megjithatë, rënia e fortë e tetorit vjen në një moment të tensionuar politik e social.

Gjatë këtij muaji, Tirana u përfshi nga një valë protestash dhe përplasjesh në rrugët e kryeqytetit, zhvillime të cilat duket se kanë ndikuar në frenimin e flukseve turistike.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x