11.9 C
Tirana
24 / 11 / 2026

Prezantohet drejtori i ri i Doganave, Malaj: Prioritet modernizimi dhe integrimi europian

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot para stafit të administratës doganore Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, Fation Shehu, duke i uruar suksese në drejtimin e institucionit.

Gjatë takimit, ministri Malaj vlerësoi rëndësinë e rolit të administratës doganore në mbështetjen e ekonomisë dhe lehtësimin e aktivitetit të biznesit, ndërsa nënvizoi nevojën për vijimin e reformave që synojnë rritjen e efikasitetit dhe modernizimin e shërbimeve.

Në ceremoninë e prezantimit ishte i pranishëm edhe drejtori aktual i Doganave, Besmir Beja, për të cilin ministri shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së drejtimit të institucionit.

“Një falënderim për Besmir Bejën për punën dhe përkushtimin e treguar në krye të administratës doganore. Jam i bindur se eksperienca e krijuar do të shërbejë më tej në funksion të forcimit të institucioneve publike”, u shpreh Malaj.

Ministri theksoi se administrata doganore do të vijojë të ketë në fokus modernizimin e procedurave, transparencën dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen, me synim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për tregtinë dhe investimet.

“Vijojmë punën për një administratë doganore më moderne, më efikase dhe më pranë sipërmarrjes, me fokus lehtësimin e tregtisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian”, deklaroi ministri i Financave.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x