12.5 C
Tirana
24 / 11 / 2026

VIDEO/ Prezantohet Sistemi Unik i Gjobave, Rama: Mbyllet tradita e letrave të shkruara, qytetari njoftohet menjëherë në e-Albania

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Sistemin Unik të Gjobave, një platformë e re që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në administrimin e masave administrative, si pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Gjatë aktivitetit të prezantimit, Rama bëri me dije se përmes këtij sistemi çdo kundërvajtje do të pajiset me një numër unik identifikimi dhe do të shoqërohet me bazën përkatëse ligjore.

Sipas prezantimit, sistemi i ri do të mundësojë gjurmueshmërinë e çdo akti administrativ, duke synuar standardizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës në procesin e vendosjes dhe administrimit të gjobave.

“Besoj që është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit dhe modernizimit të adminstratës dhe marrëdhënieve të shtetit shqiptar me qytetarin. Mbyllet një traditë e gjatë e gjobave të vendosura mbi copa letre, të shkruara edhe në mënyrë të palexueshme. Tani të gjitha institucionet mund të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë dixhitale gjë që sjell njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës E-Albania. Të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia të kontrollojë te mesazhet e tij gjobat që ka.

Do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të paguhen drejtpërdrejtë nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejte. Nuk ka më proces gjobitje pa gjurmueshmëri, garantohet një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat gjë që jep mundësi për drejtuesit e institucioneve, të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe sjelljet e burimeve të tyre njerëzore.

Hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave, që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë për hir të së vërtetës, se ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu, dua të shtoj se së shpejti do të nisë edhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi, që do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do jenë pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet vija e sjelljes e çdo punonjësi të policisë dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje e ndihmë

Krijojnë kushte tërësisht të reja për të përmirësuar në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme gjithë parametrat e sjelljes së administratës në raport me qytetarin dhe patjetër që krijojnë kushte të reja për të vlerësuar gjithë parametrat e tjerë të punës, lëvizjet, shpenzimet për karburantin, qëndrimet aktive në punë dhe pasive e me radhë.

Duhet që të gjithë të merrni masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra të realizohet një orë e më parë e të mos ketë justifikime për mungesë tabletash, probleme teknike e me radhë”, tha Rama.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x