Kryeministri Edi Rama është takuar me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut. Pas takimit, Ahmeti ka ndarë detaje nga biseda me Ramën, duke treguar se kanë diskutuar për çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët, forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, perspektivën europiane dhe partneritetin në NATO.
Në një postim në Facebook, kreu i BDI-së shkruan se biseda me Ramën ishte “vëllazërore, e hapur dhe me përkushtim”, ndërsa i jep një domethënie të veçantë faktit që takimi u zhvillua më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe në prag të festës së Pavarësisë.
Postimi i plotë i Ali Ahmetit
“Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama.
Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi.
Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare.
Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.
Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”