17.7 C
Tirana
12 / 11 / 2026

Thellohen skandalet për CEO-n e Nvidia-s, bordi shqyrton shkarkimin e Jensen Huang!

Bordi drejtues i gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia është mbledhur për të shqyrtuar të ardhmen e drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, i cili rrezikon të largohet nga drejtimi i kompanisë pas publikimit të raportimeve për marrëdhënie të dyshuara jashtëmartesore. Sipas mediave amerikane, drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit të tij ose pezullimit nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.

Lëvizja vjen pas një raportimi të gazetës “New York Times”, sipas të cilit Huang dyshohet se ka pasur një marrëdhënie dhe me një punonjëse të Nvidia-s. Ky është rasti i dytë që lidhet me emrin e drejtuesit të kompanisë, pasi fillimisht ai u përfshi në një skandal për një lidhje të dyshuar me Alice Huang, që pretendohet se kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës kineze.

Vetëm një ditë më parë, Nvidia kishte angazhuar një firmë të njohur ligjore për të hetuar pretendimet lidhur me marrëdhënien e parë dhe rreziqet e mundshme për sigurinë e kompanisë. Pas raportimeve të reja, bordi ka nisur të shqyrtojë nëse Huang duhet të vazhdojë të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv.

Deri në mbrëmjen e së mërkurës, Nvidia nuk kishte bërë asnjë deklaratë zyrtare për zhvillimet e fundit. Më herët, bordi kishte shprehur mbështetje për Huang, duke deklaruar se nuk kishte arsye të besonte se sekretet tregtare të kompanisë apo siguria kombëtare ishin cenuar nga çështja e parë.

Një tjetër problem për kompaninë është gjetja e një pasuesi të mundshëm. Huang ka qenë në krye të Nvidia-s që prej themelimit të saj në vitin 1993 dhe konsiderohet një nga figurat kryesore pas suksesit të kompanisë në tregun e inteligjencës artificiale. Sipas raportimeve, Nvidia nuk kishte përgatitur një plan të qartë për zëvendësimin e tij, ndërsa deri tani nuk ka dalë në pah ndonjë emër që mund të marrë menjëherë drejtimin.

Një nga alternativat e mundshme është bashkëthemeluesi Chris Malachoësky, i cili ka qenë pjesë e kompanisë që prej krijimit të saj dhe për vite me radhë ka drejtuar punën për zhvillimin inxhinierik të produkteve. Ai konsiderohet ndër drejtuesit e paktë që kanë një pozicion të ngjashëm me atë të Huang brenda kompanisë.

Raportimet për skandalet e dyshuara kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s ranë me rreth 8% në tregtimin pas mbylljes së bursës të mërkurën, duke vijuar një rënie që ka nisur prej ditësh. Që nga e premtja, kompania ka humbur më shumë se 500 miliardë dollarë nga vlera e saj në treg.

Nvidia është një nga kompanitë më të rëndësishme në industrinë globale të teknologjisë, falë prodhimit të çipave që përdoren në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Huang, i cili e bashkëthemeloi kompaninë në vitin 1993, luajti një rol kyç në orientimin e saj nga prodhimi i çipave për videolojëra drejt teknologjisë që sot mbështet zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Vlera e tregut e Nvidia-s ka arritur rreth 4.2 trilionë dollarë, duke e renditur atë si kompaninë e dytë më të vlefshme në botë, pas Apple. Në pesë vitet e fundit, vlera e saj është rritur me më shumë se 470%, ndërsa aksionet arritën nivelin më të lartë në fillim të tetorit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x