Nga Mero Baze
Në fund të viteve ’50, një tregtar tiranas nuk po dorëzohej dhe nuk e mbyllte dyqanin, përkundër udhëzimeve të Partisë. U provuan të gjitha mjetet, por ai nuk dorëzohej. E mbante hapur pa fitim, vetëm që të mos i nënshtrohej Partisë.
Atëherë Partia caktoi një kryetar Komiteti që të shkonte ta mbyllte. Edhe ai Sali e kishte emrin. Shkoi Saliu, hyri në dyqan dhe u ul të bënte muhabet me dyqanxhiun.
– Si është kjo puna jote, – i tha, – që nuk pjerdh fare për Partinë tonë?
– Si nuk pjerdh, zoti Sali? – i tha ai. – Ç’është kjo fjalë?
– Ashtu, – i tha Saliu i revoltuar. – E pjerdhke Partinë tonë ti, domethënë. Mbylle dyqanin dhe eja me mua.
M’u kujtua sot kjo histori, që shpjegon shumë mirë përse maskat e protestës u detyruan të dorëzoheshin dhe ta pranonin Sali Berishën si partinë e tyre. Pak a shumë, kështu ua bëri edhe Saliu maskave.
Të gjithë mendonim se ata kishin vënë maska ngaqë ishin të qartë se do të përfshiheshin në dhunë dhe nuk donin të njiheshin. Të tjerë mendonin se donin të imitonin Gjeneratën Z në Evropë, e cila po ashtu shkatërron me maska. Më i besueshëm dukej shpjegimi se maskat ua lehtësonin punën për të mos u identifikuar as nga policia, as nga njerëzit që dëmtonin dhe as nga familjarët, të cilët mund të mos ishin dakord me fëmijët e tyre.
Sali Berisha na e hoqi sot këtë siklet. Ai shpjegoi qetësisht, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj para gazetarëve, se maskat shërbenin që të mos kuptohej se protestuesit ishin njerëz të PD-së.
Ai tha se protestën te Ministria e Arsimit e nisi Forumi Rinor i PD-së dhe, në fakt, ka plot prova që e nisën ata. Mjafton videoja e Klevis Balliut, që udhëzon anëtarët e Forumit të djegin Ministrinë, dhe nisja e tyre me molotovë, për ta ilustruar deklaratën e Berishës. Më tej, ai tha se njerëzit e PD-së kanë qenë kudo, në bulevard përballë policisë, pranë të plagosurve dhe në mbështetjen logjistike të protestës.
Qershia mbi tortë ishte Sindikata e Pedagogëve, e mbushur me punonjës të arsimit të Partisë Demokratike, që nga ata që kanë punuar në SHIK, deri te ish-pjesëtarë të administratës së Berishës kur ishte në pushtet.
Madje edhe bilanci kryesor i protestës, shkatërrimi i bizneseve private dhe sulmet mbi institucionet shtetërore, është pjesë e identitetit historik të berishizmit.
Kjo i jep fund debatit jo vetëm për autorësinë e protestës, por edhe për simbolikën e maskave.
Tani kush mund ta përgënjeshtrojë Berishën?
Natyrisht, Qorri, Shehaj apo Lapaj mund ta kundërshtojnë, duke thënë se protestuesit nuk janë të tijtë, por të tyret. Kjo vetëm sa do ta bënte situatën më komike, pasi, po të jenë të tyre, më mirë të jenë të Berishës.
Përveç videove që postojnë nga bulevardi, ata nuk kanë asnjë provë se ushtrojnë ndonjë pushtet mbi turmat vandale që dalin çdo natë në rrugë. Aq më pak mbi trajnimin e tyre, organizimin ushtarak dhe logjistikën që i furnizon me lëndë plasëse dhe mjete piroteknike.
Të tjerët nuk ekzistojnë. Nuk ekziston ndonjë flamur i protestës, përveç atij palestinez herë pas here.
Nuk ekziston ndonjë grupim që merr përsipër organizimin dhe logjistikën e protestës, që t’i dalë përballë Berishës dhe t’i thotë: “Nuk jemi të tutë.”
Nuk ekziston ndonjë lëvizje e formuar qartë, me kërkesa politike, që të përfaqësojë ata që janë në rrugë, përveç Berishës.
Në këto kushte, Berisha e ka legalizuar protestën si pronë të tij.
Në të vërtetë, shumë nga ata “zemërluanët” e protestës nuk janë të Berishës. Janë të dikujt tjetër që nuk guxojnë ta thonë. Po ta thonë, i pret një e keqe më e madhe se përvetësimi nga Berisha, pasi dekonspirojnë diçka edhe më të pistë. Prandaj heshtin.
Thjesht, Saliu i sotëm po u thotë se, nëse nuk “pjerdhin për të”, ai do t’ua heqë maskat.
Dhe nëse Berisha deri tani ka punuar si argat për ta, pa ia ditur ata për nder, tani që mori përsipër edhe maskat e tyre, janë ata që duhet të punojnë për Berishën. Kjo është arsyeja pse Berisha nuk i lë as të ulen në dialog dhe as të flasin me të tjerët. Dialogu është momenti kur mund të provohet nëse ai i përfaqëson vërtet apo jo. Dhe Berisha nuk e do atë moment. Që ta bëjnë këtë, ata duhet të heqin maskat dhe të tregojnë se kush janë ose të kujt janë. Përveç Berishës.