Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva dhe senatori i krahut të djathtë Flávio Bolsonaro shkëmbyen akuza të ashpra gjatë debatit të tyre të parë televiziv, një javë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil.
Përballja u karakterizua nga sulme personale, akuza për korrupsion dhe përplasje mbi çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët, përfshirë koston e jetesës, sigurinë publike dhe shëndetësinë.
Gjatë debatit të së dielës, të dy kandidatët e quajtën njëri-tjetrin gënjeshtar dhe rikthyen në vëmendje skandale të ndryshme politike. Lula e cilësoi Bolsonaro-n si “gënjeshtar të zakonshëm” dhe “bandit”, ndërsa e akuzoi për lidhje të dyshuara me grupet paraushtarake në Rio de Janeiro. Nga ana e tij, Bolsonaro e ironizoi presidentin, duke thënë se ishte më mirë të qëndronte larg tij, pasi mund t’i vidhte portofolin.
Flávio Bolsonaro, 45 vjeç, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, u përpoq të vinte në vështirësi kundërshtarin e tij duke ngritur çështje që lidhen me korrupsionin dhe administrimin e financave publike. Lula, 80 vjeç, i cili synon një mandat të katërt presidencial, kërkoi shpjegime për një hetim korrupsioni që lidhet me familjen Bolsonaro. Senatori iu shmang përgjigjes dhe u kundërpërgjigj duke përmendur një çështje të mundshme korrupsioni që përfshin njërin prej djemve të presidentit.
Një nga temat kryesore të debatit ishte kostoja e jetesës. Bolsonaro akuzoi Lulën për shpenzime të tepruara dhe masa ekonomike të orientuara drejt sigurimit të fitores në zgjedhje. Presidenti, nga ana tjetër, e pyeti kundërshtarin nëse synonte të ndiqte modelin e shkurtimeve drastike të shpenzimeve publike të zbatuara nga presidenti i Argjentinës, Javier Milei. Bolsonaro nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe e zhvendosi diskutimin te tema të tjera.
Debati përfshiu edhe menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga administrata e ish-presidentit Jair Bolsonaro. Flávio Bolsonaro pranoi se rezultatet në këtë fushë nuk kishin qenë të mira, duke shprehur një lloj ndjese për mënyrën se si ishte trajtuar situata.
Lula u përpoq gjithashtu ta paraqiste rivalin si të shkëputur nga realiteti i shtresave të varfra të shoqërisë braziliane. Ai pretendoi se Bolsonaro nuk kishte përdorur kurrë sistemin publik shëndetësor apo transportin publik dhe nuk i njihte vështirësitë e përditshme të punëtorëve.
Ndërkohë, mbështetësit e dy kandidatëve u mobilizuan në disa qytete të vendit për të treguar përkrahjen e tyre. Në São Paulo, turmat pro-Bolsonaro u mblodhën në bulevardin Paulista, të veshur me ngjyrat e flamurit brazilian, ndërsa mbështetësit e Lulës u grumbulluan në Brasília. Në Rio de Janeiro, studentët dolën në protesta kundër Bolsonaro-s.
Jair Bolsonaro, babai i kandidatit dhe ish-president i Brazilit, ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa po vuan një dënim prej 27 vitesh burg lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat i humbi përballë Lulës.
Debati i parë u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa të dy kandidatët synojnë të bindin votuesit përpara raundit vendimtar të zgjedhjeve presidenciale.
- The Wall Street Journal: Putin propozon samit me Trump dhe Xi Jinping për Ukrainën, pa praninë e Zelenskyt - 19/10/2026
- “Trump i ka quajtur organizata terroriste…”/ Rama për protestat: Nuk negociohet me askënd që përdor dhunën, ka rënë shteti nëse negocion me ta - 19/10/2026
- Rama për protestën në Tiranë: Rusia dhe Irani të përfshirë, sulme të mirëkomanduara nga forca të huaja - 19/10/2026